Harry Kane nuk ndihet i lodhur pavarësisht se luajtur ka katër ndeshje dhe ka shënuar vetëm dy herë. Ylli i Tottenham shkëlqeu në Botërorin “Rusi 2018”, ku u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit. Mirëpo, në fillim të këtij sezoni në Premier League, 25-vjeçari duket që e ka të vështirë që të gjejë rrjetën. Skuadra e tij u mposht të shtunën në kuadër të javës së pestë të kampionatit nga Liverpool në shifrat 2-1.
Fituesi i “Këpucës së Artë” në Rusi është akuzuar nga tifozët se ndihet i lodhur nga pushimi ndërkombëtar ndaj nuk është produktiv në Premier League. Mirëpo, sulmuesi anglez është i gatshëm që të udhëtojë me ekipin drejt Milanos, për ta udhëhequr në sfidën e së martes në Champions League ndaj Inter.
“Ndihem i mprehtë dhe i përgatitur. Nëse nuk do të isha, atëherë menaxheri nuk do të më merrte. Njerëzit gjithmonë janë në kërkim të gjejnë diçka, veçanërisht kur nuk shënoni. Si ekip, të gjithë mund të bëjmë më mirë së bashku. E kemi thënë këtë edhe në fillim të sezonit. Kemi një skuadër të fortë dhe kemi besim për të bërë më mirë. Jemi energjikë dhe fakti që nuk kemi qenë produktivë nuk do të thotë se jemi të lodhur. E di që kemi fituar tri ndeshjet e para, por humbja e Watford ishte zhgënjyese për shkak të qëndrimit dhe energjisë. Ishte ndryshe nga humbja jonë. Harmoninë e kemi gjithmonë, të gjithë e motivojmë njëri-tjetrin. Trajneri beson tek unë dhe unë besoj tek vetja ime”- ka thënë sulmuesi 25-vjeçar.
Kane shpreson që të shënojë në “San Siro” në përballjen e mbrëmjes së nesërme ndaj Inter, në kuadër të Ligës së Kampionëve.
“Gjatë sezonit ne jemi një nga skuadrat më të forta dhe do të vazhdojmë të jemi të tillë edhe këtë vit. Askujt nuk i pëlqen të humbasë në ndeshje të mëdha dhe tani kemi një tjetër si ajo ndaj Inter. Nëse fitojmë, ne e shtojmë besimin tek vetja. Një rezultat i mirë në fillim, na motivon për më tej, që të marrim rezultate të mira përsëri”- përfundoi ylli i “Spursave”.