“Pres që presioni nga kompanitë farmaceutike dhe OBSH të jetë i madh, ata do të përpiqen për çfarëdo çmimi që popullata të pranojë edhe dozën e tretë. Dëshirojnë që gjithë kjo të zgjasë me vite. Ka shumë vaksina që janë në fazë të kontrollimit, dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë”, thotë dr. Nikolla Panovski
Xhenur ISENI
Shkup, 8 qershor – A do të ketë nevojë qytetarët të vaksinohen me dozën e tretë të vaksinës? Ndaj kësaj pyetje, përgjigje japin gjithnjë e më shumë epidemiolog dhe profesorë nga vendi e rajoni. Epidemiologu serb, Branislav Todoroviq, javë më parë deklaroi se gjithë, pa marrë parasysh cilën vaksinë e kanë pranuar, do të duhet të pranojnë dozë të tretë të vaksinës për gjashtë, tetë ose 12 muaj. Ndërkaq, dr. Nikolla Panovski nga Fakulteti i Mjekësisë në Shkup- në një paraqitje televizive vlerësoi se presioni i prodhuesve të vaksinave, si dhe i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të pasur dozë të tretë të vaksinës, do të jetë i madh për shkak të profitit.
“Të shohim se çfarë do të ndodhë. Duhet të shohim në vjeshtë si do të jetë situata dhe fotografia epidemiologjike, nëse virusi përsëri do të fillojë të shpërndahet. Ata ndoshta do të bëjnë një vaksinë polivalente, sikur që ka për gripin e që do të mbulojë të gjitha llojet. Nëse kjo do të bëhet për një apo dy vite, nuk e dimë. Për çfarëdo rasti, pres që presioni nga kompanitë farmaceutike dhe OBSH të jetë i madh, ata do të përpiqen për çfarëdo çmimi që popullata të pranojë edhe dozën e tretë. Dëshirojnë që gjithë kjo të zgjasë me vite. Ka shumë vaksina që janë në fazë të kontrollimit, dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë”, thotë profesor Panovski. Sipas tij, mbajtja e maskave në hapësira të mbyllura duhet të vazhdon edhe më tutje si masë.
Nga ana tjetër, epidemiologu serb Todoroviq, tha se sa i përket dozave të vaksinave, popullata është mësuar kur bëhet fjalë për gripin. “Së pari pranohen dy doza, pastaj çdo vit pranohet nga një dozë. Me shumë mundësi kjo situatë do të vazhdojë gjatë kohë”, deklaroi Todoroviq.
Drejtori gjeneral i kompanisë “Fajzer”, Albert Burla, muajin e kaluar deklaroi se është e mundur që njerëzit do të duhet të vaksinohen me nga një dozë të vaksinave kundër koronavirusit në nivel vjetor. Sipas tij, duhet të shihet dhe precizohet si do të ishte rendi dhe sa shpesh duhet popullata të vaksinohet. Siç tha ai, skenari më i mundshëm është se do të ishte e duhur edhe doza e tretë e vaksinës “Fajzer”, dikur mes gjashtë dhe 12 muaj nga rivaksinimi, pastaj të pasojë rivaksinimi vjetor. Sipas tij, vaksinat janë mjet i rëndësishëm në luftën kundër varianteve të mutacioneve infektuese të virusit. (koha.mk)