Laura PAPRANIKU
Shkup, 29 maj – Shtimi gjithnjë e më shumë i opinionit kundër testimit ekstern 2017, po inkurajon nxënësit që të mos realizojnë testimin e planifikuar për javën e ardhshme. Madje, përmes organizatave ku ata veprojnë, po lobojnë gjithnjë e më tepër për bojkotimin e testimit, shkruan gazeta KOHA. Sipas planit të punës për vitin shkollor 2016/2017 të miratuar paraprakisht (verën e vitit të shkuar), nga 5 deri më 9 qershor në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme nxënësit duhet t’u nënshtrohen testimit ekstren në emër të verifikimit të jashtëm të njohurive të tyre. Mirëpo, në rrethanat aktuale, kur është trumbetuar me të madhe largimi i këtij lloj testimi nga partia më e madhe politike e Qeverisë në formim, pra nga LSDM-ja, mbajtja e eksternes ka humbur çdo kuptim. Konkretisht është kthyer në një “nonsen”, sikurse shprehet profesori universitar Rashit Emini. Eksterna, plotëson më tej ai, edhe ashtu ka qenë një aktivitet me shumë deformime dhe mangësi, një proces që nuk arriti të prodhojë asnjë rezultat pozitiv dhe mbi të gjitha një lodhje dhe maltretim për nxënësit.
“Vlerësimi i nxënësve në këtë mënyrë, siç realizohej në Maqedoni, edhe ashtu duhet larguar urgjentisht nga sistemi arsimor, sepse vetëm dëme u ka sjellë shkollave. Duhet të mendohet një mekanizëm i mirëqenë verifikimi që do të ketë përmbajtje shkencore. Nxënësit duhet të vlerësohen, qoftë edhe përmes kontrollit të jashtëm, në mënyrë permanente dhe jo si deri tani, një herë në fund të vitit. Për këtë, Qeveria e re duhet të konsultohet me ekspertë të fushës dhe njerëz kompetentë, të ulen bashkërisht dhe të dizajnojnë mekanizmin e kontrollit të cilësisë në shkollat fillore dhe të mesme”, shpjegon Emini, profesor në Universitetin e Evropës Juglindore. Por, për situatën në të cilën gjenden shkollat aktualisht, sipas tij, nuk kanë përse nxënësit dhe mësimdhënësit të presin derisa Qeveria e re të gjejë mënyrën e largimit të eksternes dhe zëvendësimin eventuale të saj me mekanizma të rinj. “Si fillim, ekstrena duhet të bojkotohet nga të gjithë në shkolla, pavarësisht se cilat do të jenë hapat e Qeverisë dhe pavarësisht dilemave nëse atyre u premton koha për ta anuluar ose jo ekstrenen e këtij viti. Pra, eksterna nuk duhet të mbahet këtë vit, për arsyen shumë të thjeshtë: i streson nxënësit dhe u sjell gjithë ato telashe shkollave për hiç asgjë”, shprehet për KOHA, Emini.
Pastaj, sipas tij, është shumë e nevojshme të bëhet një ekspertizë e realizmit deri tani të testimit ekstren, me qëllim që të mos gabohet në të ardhmen në sjelljen e mekanizmave për të kontrolluar cilësinë arsimore. Tani e pesë vite, kundërshtimet për mbajtjen e testimin ekstern të nxënësve kanë qenë të shumta, duke nis nga protestat e nxënësve të shkollave të mesme pesë vite më parë për të vazhduar me protestat masive të unioneve të studentëve dhe nxënësve dy-tre vite më parë. Mirëpo, tani që kundërshtimet janë në harmoi me predispozitat reale për anulimin e tij, nxënësit duket që kanë fituar më tepër vetëbesim. Unioni i Nxënësve Shqiptarë të Maqedonisë, edhe zyrtarisht kërkon bojkotimin e esktrenes. “Kërkojmë që ky testim të mos realizohet, respektivisht të anulohet dhe në vend të tij të sillet një mënyrë vlerësimi që nuk i dëmton nxënësit”, thotë Majlinda Çilafi, kryetare e UNSHM-së. Madje, ajo tregon se Unioni kishte në plan të organizojë protesta kundër eksternes në muajin maj. Për këtë ishin bërë përgatitjet dhe lobimet me unionet e vendeve tjera, mirëpo situata politike pas incidentit të 27 prillit në Parlament, duket se shkatërroi planet e nxënësve. “Gjithçka ishte planifikuar dhe organizuar, por shkau i situatës politike nuk u mbajtën protestat. Gjithë fokusi ishte atje dhe ne nuk deshëm ta vështirësojmë gjendjen më tepër tek nxënësit”, shprehet ajo. Ndërkaq, shkollat edhe pse të lodhura nga esktrenia, nuk kanë kompetencë të sjellin vendime për mos mbajtje të testimeve. Bojkoti është çështje për të cilën duhet të vendosin vetë nxënësit dhe prindërit e tyre. Sanksione, me siguri që nuk do të ketë askush në rast të hedhjes se nxënësve në këtë veprim. Përkundrazi, do të shiheshin si element lehtësues në vendimet që duhet t’i nxjerrë Qeveria e mandatarit Zoran Zaev për anulimin e eksternes.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara