Nuk mund të pritet që sektori qytetar të jetë faktor krucial në negociatat me BE-në

Nuk mund të pritet që sektori qytetar të jetë faktor krucial në negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian. Sektori qytetar mund të ndihmojë me dozën e vet të caktuar të ekspertizës, por në asnjë rast nuk mund të jetë baza në negociatat me Unionin.

Këtë sot e deklaruan drejtoresha ekzekutive e Komitetit të Helsinkit për të drejta të njeriut, Urania Pirovska dhe Simonida Kacarska, drejtoreshë e Instituti për politikë evropiane, në prezantimin e Raportit në hije për “Kapitullin 23”.

“Kapacitetin që duhet ta ketë administrata nuk mund të plotësohet me sektorin qytetar. Sistemi i organizimit të negociatave ka shumë modele, dhe secili vend duhet ta gjejë atë që i përshtatet. Sektori qytetar për shkak të kushteve specifike të zhvillimit ka edhe dozë të caktuar të ekspertizës, që mund të ndihmojë por ai në asnjë rast nuk mund të jetë baza”, tha Kacarska.

Advertisements

Theksoi se përvojat nga vendet e tjera tregojnë se thelbi që i zhvillon negociatat duhet të jetë nga administrata, sepse negociatat do të zgjasin shumë, dhe ata njerëz do të duhet gjatë kohë të kyçen në to.

Lidhur me ligjin për Prokurorinë publike, shtoi se ajo që mbetet në fokusin e vendeve-anëtare të BE-së është se si do të ruhet pavarësia e Prokurorisë Speciale Publike, dhe si do të sendërtohet në sistemin e PP-së të Maqedonisë së Veriut.

“Nevojitet të kihet proces transparent lidhur me këtë çështje, dhe është e qartë se vendet-anëtare kyçe në BE presin përparim lidhur me atë, deri në vendimin në qershor, dhe është një nga aspektet që qëndron si detyrë e papërfunduar”, tha Kacarska.

Pirovska, nga ana e vet theksoi se transparenca e Qeverisë ndaj sektorit qytetar është për t’u përshëndetur.

“Atë duhet ta shohim nëpër disa dimensione. Nga njëra anë mbështetja e ekspertëve, megjithatë qeveria dhe procesi i negociatave duhet të jetë i hapur drejt sektorit qytetar, edhe për shkak të legjitimimit dhe transparencës, jo vetëm nga aspekti i mbështetjes eksperte”, tha ajo.

Pirovska tha se sektori qytetar është i përfshirë në pothuajse të gjitha grupet e punës në Qeverinë e RMV-së, dhe se ndajnë kapacitete të mëdha dhe energji, me atë për ta ndihmuar Qeverinë që ta kalojë tërë procesin e reformave.

“Megjithatë nuk mund të pritet që sektori qytetar të jetë ai faktori krucial në kalimin e atij procesi”, vlerësoi drejtoresha e Komitetit të Helsinkit.

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski javën e kaluar nga Brukseli u bëri thirrje të gjithë faktorëve në apo jashtë administratës publike që të kyçen në procesin vijues negociues me BE-në dhe tha se Qeveria është e shqetësuar nëse shteti ka kapacitet të mjaftueshëm për këtë ndërhyrje. Ai paralajmëroi se më së voni deri nga mesi i majit, Qeveria duhet të publikojë propozim të ri për strukturën negociuese që shkakton angazhim të “ekspertëve me kualifikim të lartë” nga jashtë institucioneve. (koha.mk)