Fjalët e fundit të gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, përpara se ai të vritej, kanë qenë “nuk mund të marr frymë”
Zbulohet se fjalët e fundit të gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, kanë qenë “nuk mund të marr frymë”. Sipas lajmit në televizionin amerikan CNN bëhet e ditur se fjalët e fundit të gazetarit Jamal Khashoggi, përpara se ai të vritej, kanë qenë “nuk mund të marr frymë”. CNN e bazoi lajmin e tij në një burim informacioni mbi hetimet rreth vrasjes së Khashoggit dhe përkthimin e një regjistrimi të zërit të momenteve të fundit të gazetarit Khashoggi.
Burimi i lajmit thekson se vdekja e Khashoggit nuk është një vrasje e kryer nga fillestarë, por e planifikuar paraprakisht, ku dhe Khashoggi ka bërë përpjekje kundër vrasësve. Në lajm jepen edhe informacionet që sipas regjistrimeve të zërit, trupi i Khashoggit është ndarë në pjesë me sharrë dhe se autorët kanë rekomanduar dëgjimin e muzikës gjatë copëtimit të trupit të gazetarit. Po ashtu në lajm theksohet se nga regjistrimet e zërit konstatohet se pas krimit janë kryer disa biseda telefonike ku i janë dhënë informacione palës përballë.
Princi saudit, Mohammad bin Salman, ka qenë objekt i kritikave pas vrasjes së gazetarit, Jamal Khashoggi, më 2 tetor në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite. Është njoftuar se edhe Agjencia Qendrore Amerikan e Inteligjencës (CIA) ka arritur në rezultatin se Mohammad bin Salman ka dhënë urdhrin për vrasjen e Khashoggit.
Ndryshe, dje, ministri i Jashtëm saudit, Adel al-Jubeir ka refuzuar kërkesat e Turqisë për t’i ekstraduar të dyshuarit e lidhur me vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, i cili është vrarë në konsullatën saudite në Stamboll. “Ne nuk i ekstradojmë qytetarët tanë”, ka thënë al-Jubeir para gazetarëve në Riad më 9 dhjetor, në fund të samitit, Këshilli për Bashkëpunim mes vendeve të Gjirit. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka kërkuar që Arabia Saudite të dorëzojë të dyshuarit për vrasjen e Khashoggit.