Qenan HASANI
Manastir, 20 prill – Manastirasit që tani më kanë kaluar të gjashtëdhjetat, edhe më tej krenohen dhe flasin me pietet për të kaluarën e këtij qyteti, i cili botës shqiptare i ka dhënë shumë personalitete dhe strehim luftëtarëve të palodhur në luftën për ruajtjen e identitetit kombëtarë. Të mbetur anësh të gjitha të mirave të jetës, në mëshirën e paperspektivës u mbetet të krenohen me të kaluarën, kur të tjerët nuk i intereson ringjallja e Manastirit, shkruan gazeta KOHA. Ata krenohen edhe me Muzeun e Alfabetit, edhe pse i mbetur ashtu siç u themelua, vetëm me portretet e delegatëve dhe rilindësve tjerë, duke konstatuar se “është ashtu siç është, megjithatë është i yni”. Megjithatë, shumica e atyre të moshës që e potencuam në fillim, janë të mendimit se është kohë e vërtetë që të përjetësohen disa anëtarë, ata më të zjarrtit, të familjes manastirase Qiriazi. Elektro-inxhinieri i pensionuar, Faruk Arifi, si manastiras i vjetër denbabaden, që në fillim shprehet se shqiptarët e Manastirit nuk duhet të jenë të kënaqur vetëm nga muzeu, por duhet kërkuar edhe ngritjen e monumenteve, të paktën, të katër anëtarëve të familjes Qiriazi. “Nga historia e shkruar dhe rrëfimet brez pas brezi, kemi të dhëna të mira për punën dhe aktivitetet e kësaj familjeje patriotike. Tërë jetën dhe pasurin ia falën luftës për ruajtjen të gjuhës dhe zhvillimin të arsimit shqip, duke viktimizuar jo vetëm pasurinë materiale, por edhe jetët e tyre, siç ishte rasti me Gjerasimin, i cili vdiq në moshën 35 vjeçare. Këta meritojnë ngritjen e busteve dhe vendosjen e tyre para objektit, ose në hyrje të muzeut”, mendon Faruku, duke shtuar se kompetentët vepruan mirë që në enterierin e objektit krijuan dhomën përkujtimore të shtëpisë familjare të Gjergj Qiriazit, në të cilën punonte komisioni njëmbëdhjetëanëtarësh për përpilimin e alfabetit, figurat e të cilëve të ngritura nga silikoni i vendosën brenda. Faruku nuk mohon as veprimtarinë e Kristo Qiriazit, i cili ndoshta mbi supet kishte marrë punën më të vështirë, punën e Shtypshkronjës universale, në të cilën shtypeshin gazeta, libra dhe materiale tjera në 13 gjuhë, e cila për kohën ka qenë më e përsosura jo vetëm në Manastir, por edhe më gjerë në Ballkan. Ndërkaq, doajeni i arsimit shqip në Manastir, Ramiz Asllani, është edhe më konkret kur thotë se “nëse nuk do të ishin Qiriazët, ndoshta sot nuk do të kishim as gjuhë e as arsim në gjuhën tonë. Jo vetëm ngritja e busteve, por duhet kërkuar dhe zbuluar lokacioni ku ka qenë shtëpia familjare e Qiriazëve, ku mikpritëse e njëmbëdhjetë delegatëve ishte nëna e vëllezërve dhe motrave Qiriazi, Marija, e cila është e njohur sipas qëndrimit të saj ndaj gjuhës shqipe, kur ka thënë: “Në shtëpinë tone flitet vetëm shqip” dhe aty të ndërtohet dhoma përkujtimore. Mirëpo, Arsllani është edhe i kufizuar dhe skeptik se ky institucion mbarëkombëtarë do të kishte perspektivë të sigurt në këtë qytet ku mbisundon albanofobia. Ai, muzeu që nga themelimi e deri në ditët e sotme, të paktën dy here në vit, nga grupe të panjohura kanë sulmuar fizikisht këtë objekt monumental. Edhe pse objekti është në mbrojtje të Ligjit për mbrojtjen e monumenteve kulturore e historike, autoritet e pushtetit lokal as që interesohen, e as që e përmendin këtë institucion. “Ne, shqiptarët e këtij qyteti, dikur qendër shqiptare, sot me pakicë të skajshme, nuk do të kemi ashtu siç edhe s’kemi forca që ta mbrojmë”, shprehet për KOHA, doajeni i arsimit shqip në Manastir, Ramiz Arsllani.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara