Shkup, 2 prill – Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe thotë se po përcillet me vëmendje situata me numrin e të infektuarve në Kumanovë dhe përhapja e koronavirusit, por që tani për tani nuk ka nevojë për masa të ashpërsuara shtesë, transmeton gazeta KOHA.
“Analizat tona, vlerësimi i kontakteve i të gjithë këtyre personave që janë të sëmurë të rinj, si kanë kontaktuar me kontaktet e tyre primare tregojnë se tani për tani masat nuk duhet të përforcohen. E ndjekim situatën çdo ditë, analizohen rastet se cili ka qenë relacioni dhe vendbanimi. Kjo është bërë intensivisht nga epidemiologët që punojnë në terren. Kështu që, është e mundur që të merren masa të reja, por jo tash për tash”, tha në konferencën e sotme për shtyp ministri Filipçe.
Ai përsëri u bëri thirrje qytetarëve të Kumanovës, si dhe të gjithë qytetarëve të tjerë në vend, që t’i respektojnë të gjitha masat dhe rekomandimet e përcaktuara me qëllim që vendi të përballet me përhapjen e koronavirusit. Ai tha se për momentin, nuk po mendohet për përforcim të masave dhe se Ministria e Punëve të Brendshme dhe inspektorët janë vazhdimisht në terren për të kontrolluar zbatimin e masave ekzistuese.
“Kjo është një situatë, luftë, një luftë në të cilën të gjithë kemi përgjegjësi. Pa vetëdije dhe përgjegjësi të qytetarëve si rezultat pozitiv në luftë, është e vështirë të zbatohen të gjitha vendimet dhe masat e Qeverisë”, tha Filipçe.(koha.mk)