Julen Lopetegui rikthehet të flasë për aventurën e tij të shkurtër te Reali i Madridit. 2018-ta nuk ishte një vit shumë pozitiv për ish trajnerin e Spanjës i cili vetëm pak ditë para startit të Kupës së Botës në Rusi, u emërua si pasuesi i Zidane në stolin e Los Blancos dhe për këtë arsye drejtuesit e Federatës Spanjolle të Futbollit e shkarkuan nga stoli i kombëtares duke i hequr shansin për të drejtuar ekipin në Botëror. Por 2018-ta e Lopeteguit u vështirësua edhe më shumë kur gjërat nuk funksionuan te Reali i Madridit, me trajnerin që u shkarkua nga detyra e tij e dytë në pak kohë pas humbjes së thellë me shifrat 5-1 ndaj Barcelonës në El Clasico. Lopetegui në një intervistë foli pikërisht për shkarkimin e tij nga Reali duke theksuar se nuk ishte presidenti Perez ai që ia komunikoi vendimin.
“Shkarkimi? Ma komunikoi Jose Angel Sanchez, nuk kam folur me Florentino Perez. Unë dhe presidenti nuk kemi komunikuar më. Nuk ka problem, klubi ka ndjekur rrugën e vet, unë timen. Këto situata të bëjnë më të fortë”.
Spanjolli ka folur edhe për yllin e ri të madrilenëve, Vinicius, i cili është lënë jashtë ekipit nën drejtimin e tij: “Ishte një periudhë përshtatjeje, koha është shumë e rëndësishme në këto raste. Do të kishte luajtur më mbrapa, sepse sezonet zgjasin dhjetë muaj dhe jo një muaj e gjysmë. Kur nuk grumbullohej me ekipin e parë, ai luante me Castilla-n. Do të ketë një të ardhme të shkëlqyer”, ka thënë Lopetegui.