Fisnik NUHIU
Shkup, 6 mars – Në dallim me sportet tjera, futbolli në Maqedoni gjithmonë ka qenë në pikë të parë, kështu ishte edhe për ish futbollistin, tani trajner i suksesshëm në vendin tonë, Sami Ganiun. Karriera e tij futbollistike nisi në vendin ku u lind dhe u rrit si fëmijë, në fshatin Mateç të Kumanovës, fshat i cili njihet në të gjitha aspektet në veçanti edukative dhe sportive. Ganiu ishte pjesë edhe e ekipit të Kumanovës ku atë kohë garonte në Ligën e Dytë të ish Jugosllavisë. Karriera si futbollistë për Samiun nuk ishte e gjatë pasi atë kohë ishte i detyruar të kryente ushtrinë. Dëshira e madhe që Samiu kishte për sportin nuk ndaloi që edhe në detyrën ushtarake të formon ekipe futbolli, basketbolli e sporte tjera. Pasi kreu ushtrinë Ganiu vazhdoi me studimet fakultative në Shkup ku dhe i mbaroi me sukses. Ai më pas u punësua si profesor i edukatës fizike. Ndërkaq, nga viti 1992 e deri më sot Sami Ganiu punon edhe si trajner në ekipin e FC Shkupi, ku nga dora tij kanë dal shumë talent të futbollit. Samiu me ekipin e FC Shkupit, ka arritur që të fiton të gjithë titujt e mundur në futbollin e Maqedonisë. Në intervistën e dhënë për gazetën Koha, Sami Ganiu na rrëfen për jetën e tij sportive.
KOHA: Na tregoni rreth fillimit të karrierës suaj?
GANIU: Kam lindur dhe jam rritur në fshatin Mateç, shkollën fillore e kam kryer aty, dhe fillimin e karrierës time sportive e kam filluar pikërisht në fshatin Mateç të Kumanovës. Studimet e larta fakultative i kam mbaruar ne “Universitetin Shen Kiril dhe Metodij”, dega e sportit. Pastaj, shkollën e mesme dhe vijimin e karrierës sportive e kam vazhduar ne Kumanovë, ku kam mbaruar shkollën e mesme normale dhe kam luajtur futboll për klubin futbollistik FC Kumanova.
KOHA: Hapat e juaj të parë i filluat në fshatin Mateç, na rrëfeni më shumë lidhur me këtë se cilat ishin peripecitë e juaja gjatë kësaj kohe.
GANIU: Fillimi i karrierës time fillon ne fshatin Mateç, fshat në rrethinën e Kumanovës, fshat me traditë të madhe në të gjitha aspektet në veçanti edukative dhe sportive. Këtu mund të ceki që si fëmijë në fshatin Mateç kemi organizuar shumë lojëra sportive (lojëra në atletike,futboll, basketboll e shumë sporte tjera.)
KOHA: Hapat e juaja ishin të suksesshëm dhe më pas vazhduat në klubin e Kumanovës, ku gjatë kësaj periudhe ju në po të njëjtin klub keni luajtur edhe në Ligën e Dytë të ish-Jugosllavisë?
GANIU: Pas mbarimit të shkollës fillore, studimet vazhdova në Kumanovë në shkollën e mesme normale dhe atje fillova të merrem me futboll në klubin e FC Kumanovës, duke luajtur për të gjitha kategorite (fatosat, pionerët, kadetët, juniorët dhe për ekipin e parë senior të klubit).Garonim në Ligën e dytë të Jugosllavisë, ku atë kohë kemi patur shumë ekipe të forta.
KOHA: Për një kohë të shkurtër ju treguat shumë sukses, dhe ishit të detyruar ta ndaloni këtë hov për arsye se ju ishit të detyruar të kryeni ushtrinë.
GANIIU: Po siç e dimë në atë kohë kryerja e ushtrisë ishte e detyruar nga shteti, dhe pushova nga aktivitetet sportive gjate periudhës së kryerjes ushtarake në Beograd.
KOHA: Gjatë kohës sa ju po e kryenit detyrën e ushtarit sa ju mungonte futbolli?
GANIU: Pasi që e ndjeja mungesën e sportit shumë, fillova edhe në ushtri të merrem me aktivitete sportive duke formuar ekipe futbolli, basketbolli etj.
KOHA: Periudha e ushtrisë ju mbaroi dhe ju nga dëshira e madhe përsëri vazhduat me vullnetin tuaj, të merreni me këtë lloj të sportit, por këtë herë në arsim na sqaroni këtë periudhë?
GANIU: Pasi mbarova ushtrinë, vazhdova me studimet fakultative në Shkup, ku dhe mbarova. Me pas u punësova në arsim, si profesor i edukatës fizike dhe kam dhënë mësim ne shkollat: Shkolla Fillore në Mateç, fshatin Hotle, fshatin Likovë, Kumanovë dhe së fundmi në Shkup në Shkollën Fillore “Liria”, ku dhe jam pensionuar.
KOHA: Si veteran i arsimit ju keni nxjerr gjenerata të arta si në futboll ashtu edhe në hendboll, mund të na tregoni disa emra qe ju keni nxjerr në pah talentin e tyre?
GANIU: Gjatë karrierës sime në arsim kemi marr pjesë në gara komunale dhe shtetërore të futbollit, hendbollit,basketbollit, ku dhe kemi arritur suksese të njëpasnjëshme. Disa nga emrat e njohur në futboll që burojnë nga Shkolla Fillore “Liria” : Sedat Berisha, Ermedin Adem e shumë e shumë të tjerë.
KOHA: Që nga viti 1992 punoni tek ekipi i FC Shkupi, prej atëherë e deri më sot kanë kaluar vite dhe ju qëndruat besnik në këtë drejtim, sa të arritura keni pasur gjatë kësaj kohe?
GANIU: Prej vitit 1992 punoj si trajner në klubin futbollistik “Shkupi” , klub në të cilin pothuajse kam arritur çdo sukses që mundet me pas një trajner në Maqedoni. Duke arritur të fitoj vendin e parë në Ligën e Maqedonisë në të gjitha kategoritë futbollistike që nga fatosat e deri tek juniorët, dhe kupën e Maqedonisë me shumë gjenerata. Si gjenerata 1984, 1989, 1995 e shumë gjenerata te tjera. Gjithashtu te arriturat individuale duke u shpallur trajner i vitit nga Federata e Futbollit të Maqedonisë dhe shumë e shumë të arritura tjera.
KOHA: Si një familje sportdashës, hapat e juaja ia keni përcjellur edhe djalit tuaj,sa jeni të kënaqur nga sukseset e Visarit?
GANIU: Së pari ndjehem i privilegjuar që edhe djali im Visari i vazhdoi hapat e mia, duke korrur suksese të njëpasnjëshme në sferen e futbollit, dhe duke nxjerr në pah talentin e tij mbasi mbaroi studimet postdiplomike dhe ato të doktoraturës, një sukses që secili prind do ta dëshironte.
KOHA: Sipas mendimit tuaj sa ka përparuar sporti në Maqedoni?
GANIU: Maqedonia është një shtet që vitet e fundit ka filluar investimet e saja në sport, mendoj që ndryshimet që po bëhen po shihen menjëherë me përparime të mëdha në të gjitha fushat e sportit si në futboll, basketboll, hendboll.
KOHA: Çfarë do kishit ndryshuar në sportin vendor?
GANIU: Pasi që un jam trajner i futbollit do të kisha cekur disa ndryshime që duhet të bëhen në futboll. E para do të ishte infrastruktura të reja nëpër stadiume, pajisje të nevojshme sportive, si dhe përkushtim më të madh tek fëmijët dhe të rinjtë që merren me sport.
KOHA: Në Maqedoni me dallim nga shtetet fqinje shumë pak investohet në futboll. Ku qëndron problemi?
GANIU: Për dallim nga shtetet tjera mendoj që 2-3 vitet e fundit edhe Maqedonia ka filluar t’ia din vlerën futbollit dhe të investoj në të. Siç kemi klubet “Shkëndija” nga Tetova dhe “Vardari”, nga Shkupi, e tjera që për vetëm një vit investim suksesi i tyre doli në pah. Por kjo nuk do të thotë që është e mjaftueshme pasi duhet që edhe në klubet tjera të ketë investime të tilla.
KOHA: Reprezentacioni i Shqipërisë në futboll realizoi ëndrrën e saj që të luaj në Kampionatin Evropian. A mundet qe ky sukses të përcillet edhe në Reprezentacionin e Maqedonisë?
GANIU: Maqedonia për dallim nga Shqipëria ka filluar të investoj dhe të marr me seriozitet punën e futbollit në këto vitet e fundit dhe pse jo të shpresojmë që në një të ardhme të afërt dhe Maqedonia të arrij suksesin e Shqipërisë.
KOHA: Pasi përmendëm reprezentacionin e Maqedonisë. Gjenerata U21 arriti suksesin më të madh në histori të futbollit në Maqedoni duke u kualifikuar në Evropian. Çfarë prisni ju nga këta djelmosha?
GANIU: Djelmoshat e reprezentacionit U21 të Maqedonisë arritën një sukses që i ka munguar historikut të futbollit në Maqedoni. Kjo arritje na gëzoi të gjithëve, pasi të plasohesh në kampionatin evropian dhe të fitosh dhe eliminosh disa kombëtare me tradite në futboll në fazën grupore nuk është diçka e vogël. Duke shikuar gjithë këto fakte shpresoj që të arrijnë së paku në 4 vendet e para.
KOHA: Cila do të ishte porosia e juaj për të rinjtë e sodit?
GANIU: Porosia ime për të rinjtë është që të arsimohen, të merren me sport dhe aktivitete sportive të cilat ndihmojnë edhe në shëndet por edhe në largimin e dukurive negative të të rinjve që ndodhen kudo në botë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.