Edhe pse paralajmërimet ishin se rregullimi i autostradës Tetovë-Gostivar dhe rrugës rajonale Tetovë-Jazhincë në fshatin Poroj do të nisin në muajin qershor ende nuk është filluar me punë, ndërsa as vet autoritetet nuk japin një datë të saktë për këtë çështje
Urim HASIPI
Tetovë, 27 korrik – Ende nuk kanë filluar punët për rregullimin e autostradës Tetovë-Gostivar dhe rrugës regjionale Tetovë-Jazhincë në fshatin Poroj. Edhe pse ishin paralajmëruar që punimet do të fillojnë së shpejti, deri më tani nuk është filluar me punë në asnjërin prej këtyre akseve. Për rregullimin e rrugës Tetovë-Poroj, drejtori i ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore Zoran Kitanov është shprehur se janë në pritje që komuna të përfundojë me punët rreth kanalizimit dhe ujësjellësit dhe menjëherë më pas do të fillohet me asfaltim, shkruan gazeta KOHA. Për rehabilitimin e rrugës në aksin Tetovë-Poroj, janë siguruar mjete nga buxheti i Ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore me vlerë prej 14 milionë denarë. Kitanov premton se së shpejti do të fillojnë punët në disa akse rrugore në Pollog.
“Në muajin shtator presim që të fillojë rehabilitimin i rrugës Karpallëk-Zhelinë, në një gjatësi prej 16 kilometra. Po ashtu presim që të hapim tender për projektim të rrugës Zhelinë-Jegunoc, dhe presim që të hapet tender për rikostruim dhe rehabiltim të autostradës A2 Tetovë-Gostivar. Aksi rrugor Tetovë-Gostivar tashmë është shumë i ngushtë. Është dhënë detyrë projektuese e Fakultetit të ndërtimtarisë prej ku kanë dy zgjidhje alternative. Të dyja janë shumë të bukura edhe në nivel të autostradës standarde, por do ta them vetëm njërën. Sipas asaj zgjidhje, korsitë do të jenë të gjera 3,75 metra me 3,5 metra dhe 2,5 metra. Fakulteti i Ndërtimtarisë ka një opsion me të cilin mund të bëjmë tender për projekt kryesor që të sigurohen mjetet, dhe të mendohet varianti i dytë i cili është shumë interesant”, tha Kitanov. Vite me radhë kësaj autostrade nuk i kushtohet rëndësi e njëjtë, është lënë pas dore dhe pa asnjë investim. Në këtë aks rrugor çdo ditë regjistrohen aksidente të cilët i shkaktojnë kafshët pasi që nuk ka mburoja prej metali të cilët do të parandalonin qasjen e kafshëve në rrugë. Këtë e ka konfirmuar edhe policia e Tetovës e cila thekson se janë shkaktuar shumë dëme materiale gjatë aksidenteve ku shkaktarë janë qentë endacak.
Nga Policia e Tetovës thonë se brenda vitit regjistrohen mbi 100 aksidente, por ky numër nuk është real pasi që aksidente të kësaj natyre ka thuajse çdo ditë. Mungesa e mburojave përgjatë kësaj autostrade ka bërë që jo vetëm qentë endacak të dalin në rrugë dhe të shkaktojnë aksidente por edhe kafshë të tjera kanë qasje të lehtë në këtë rrugë. Po ashtu dukuri tjetër është edhe vjedhja e këtyre mburojave nga persona të papërgjegjshëm të cilët e marrin dhe e sheshin, ndërsa nuk mbajnë llogari për dëmet që mund të shkaktohen nga vjedhja e këtyre mburojave. Deri tani ka përfunduar aksi rrugor Pirok-Bogovijë-Vrapçishtë me investim prej 15 milion denarë. Në ndërkohë sërish është paraparë që të ketë punime në rrugën regjionale Tetovë-Jazhincë. “Për rindërtimin e aksit Neproshten-Përshefcë janë parashikuar tetë milionë denarë. Për aksin nga Vratnica deri në vendkalimin Jazhincë janë parashikuar dy milionë denarë, ndërsa punimet janë në përfundim e sipër”, informojnë nga Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore. Edhe pse paralajmërimet ishin se rregullimi i autostradës Tetovë-Gostivar dhe rrugës rajonale Tetovë-Jazhincë në fshatin Poroj do të nisin në muajin qershor ende nuk është filluar me punë, ndërsa as vet autoritetet nuk japin një datë të saktë për këtë çështje. (koha.mk)