Krejt çfarë ajo donte ishte të bënte pjesë në ekip. Për herë të parë, vajza me emrin Je’Nan Hayes filloi të luante basketboll në shkollën e saj në Maryland të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ajo luajti në 24 ndeshje, por në finalen regjionale nuk mundi të luante, sepse gjyqtari nuk e lejoi për shkak të shamisë që mban. Si anëtare e fesë myslimane, Hayes mban hixhab çdo ditë në secilin aktivitet. Sipas rregullave, lojtaret nuk mund të luajnë të pajisura me mbulesa apo me stoli të ndryshme.
Gjatë ndeshjes së fundit, ajo qëndroi në bankën rezervë duke menduar se trajneri kishte harruar ta aktivizonte. “Kur e kuptova pse nuk luajta, u zemërova dhe u zhgënjeva në referin”, tha Hayes. Ndërkohë, autoritetet i kanë kërkuar falje familjes dhe kanë premtuar se kjo nuk do të ndodhë më.