Edhe në rrjedhën e re të Milanit nuk ka vend për Paolo Maldinin. Ish-lojtari dhe flamuri i kuqezinjve, i cili foli në një ngjarje të “Nike” në qendër të Milanos, ka shprehur në mënyrë të qartë pikëpamjen e tij në lidhje me kuqezinjtë: “Absolutisht jo, nuk kthehem. Kam marrë një vendim kohë më parë dhe sinqerisht mendoj se ishte i drejtë dhe i ponderuar. Ndryshimi i pronësisë së klubit ka ndodhur rreth një muaj më parë, por dyshimet e mia mbeten.
Natyrisht, gjithmonë mbetet dashuria për këtë ekip, kam edhe trishtim në fund të epokës së Berluskonit, që prodhoi për tifozët dhe lojtarët përvoja të pabesueshme. Unë jam me fat të mjaftueshëm për të shprehur çfarë mendoj, pa u lidhur me çdo gjë që do të më bënte të ndryshoja mendjen time. Mund të jem i drejtë, ose i gabuar, por pavarësia e mendimit është gjëja më e kënaqshme në karrierën time, ndaj nuk dua të ndryshoj. Çfarë ndodh në fund të karrierës për një flamur është se projektet duhet të përputhen mes klubeve dhe lojtarëve.”
Ish-futbollisti ka zbuluar edhe diçka, kur mori vendimin për t’i “varur këpucët në gozhdë”: “Unë kurrë nuk do të kisha rënë dakord për të qëndruar në stol. Kjo ka ndodhur një herë me Ancelottin. Kam hyrë në lojë në pjesën e dytë, por ishte aq e keqe si ndjenjë, sa ia bëra të qartë trajnerit se nuk do të pranoja një angazhim me kohë të pjesshme në karrierën time. Edhe s’e kam bërë këtë gjë në Milano.” Në fund, Paolo Maldini shpjegoi edhe sukseset kryesore të Juventusit: “Është ekipi që mbron më mirë në Europë. Ka një mbrojtje të përqendruar, ashtu si Milani im, një grup italianësh, që kanë bërë më të mirën rregullisht.”