Të akuzuarit Besir Bela dhe Skender Demiri, kërkuan drejtësi nga Gjykata e Apelit, ndërsa mohuan të kenë patur plan apo paramendim për vrasjen e Nikolla Sazdovskit
Omer XHAFERI
Shkup, 15 tetor – Pala mbrojtëse e Besir Belës dhe Skender Demirit, të akuzuar në rastin “Sazdo” dhe të dënuar nga Gjykata Penale e Shkupit me nga 19 vite burg, në seancën publike në Gjykatën e Apelit në Shkup, e përsëriti qëndrimin se kjo lëndë s’ka fare të bëjë me veprën penale “vrasje mizore”. Avokati Naser Raufi, në sqarimin e ankesës para Këshillit penal në Gjykatën e Apelit, të kryesuar nga gjykatësi Zoran Dimitrievski, tha se të akuzuarit ditën e ngjarjes nuk kanë pasur plan e as paramendim për vrasjen e të riut Nikolla Sazdovski, shkruan gazeta KOHA.
“Kjo ka të bëjë me një vepër tjetër penale, për të cilën të akuzuarit e pranojnë, e kjo është ‘dhunë me pasojë vdekje’. Në ankesat tona, ne kemi kërkuar që kjo lëndë të kthehet në shkallë të parë dhe të merren parasysh të gjitha propozimet tona si palë mbrojtëse. Posaçërisht nuk mund të bëhet fjalë për kualifikimin në fjalë. Është e qartë edhe prej vetë dëshmive të prezantuara nga prokuroria se nga ana e të akuzuare, nuk ka pasur vullnet dhe dëshirë që kjo të ndodhë. Mendoj se Gjykata e Apelit do t’i pranoj ankesat tona dhe lënda do të kthehet në rigjykim”, tha avokati Raufi.
Ai, po ashtu nënvizoi se në këtë rast ka ndikim edhe politika, duke e theksuar deklaratën e ish-deputetit të LSDM-së, Pavle Bogoevski, i cili në një deklaratë publike, tha se është nënçmim i madh për prokurorinë që në këtë rast të ketë kualifikim për “dhunë”, ndërkohë bëhet fjalë për “vrasje të dhunshme”. Raufi nuk e përjashtoi edhe ndikimin në rikualifikimin e padisë nga protestat e tifo-grupit “Komitët”. Mes tjerash, avokati tha se “mizoriteti” (si vepër) i shkruar në aktgjykim, është subjektiv nga vet fakti se kryerësi i një vepre të tillë duhet të ndjejë kënaqësi kur e kryen atë vetë, si dhe e njëjta duhet të zgjasë. Fjalim të shkurtër në Gjykatën e Apelit pati edhe prokurori i Prokurorisë së Lartë të Shkupit, Jovan Stefanovski, i cili tha se e tërheqin propozimin e Prokurorisë së Shkupit, për lartësinë maksimale të dënimit, gjegjësisht ai kërkoi nga kjo gjykatë që vendimi i Gjykatës së shkallës së parë të vërtetohet dhe ankesat e mbrojtjes të refuzohen. Njëkohësisht, të akuzuarit Besir Bela dhe Skender Demiri, kërkuan drejtësi nga kjo gjykatë duke mos lejuar që të njëjtit të dënohen për një vepër të cilën nuk e kanë kryer.
Seanca publike në Gjykatën e Apelit në Shkup për rastin “Sazdo” u zhvillua një vit e gjysmë pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Penale e Shkupit, e cila të akuzuarit në fjalë i dënoi me nga 19 vite burg për vdekjen e të riut Nikolla Sazdovski. Raportuesi i lëndës, gjykatësi Zoran Dimitrievski, gjatë leximit të rrethanave rëndues mbi të cilat është mbështetur GJPSH, gjatë shpalljes së aktgjykimit, tha kanë të bëjnë me faktin se në këtë ngjarje jetën ka humbur një person i ri dhe se dëmi në këtë rast nuk mund të kompensohet. Gjykatësi në fjalë, po ashtu e lexoi edhe faktin të cilën GJPSH në shqiptimin e lartësisë së dënimit e ka marrë parasysh edhe insistimin e të akuzuarve mbi të ndjerin, si dhe dëmin të cilën e kanë përjetuar anëtarët e familjes Sazdovski. Në bazë të Ligjit për gjykata, Gjykata e Apelit, gjatë shqyrtimit të ankesave ka të drejtë të vërtetimit të aktgjykimit, ndryshimit të tij apo kthimit në rigjykim të lëndës. (koha.mk)