Ish-trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, thotë se është i detyruar të marrë një vit pushime nga futbolli, pasi nuk ka mbërritur asnjë ofertë në adresën e tij. Ai u nda me “Zonjën e Vjetër” pas titullit të tetë radhazi (pesë të tillë me të në stol), në fund të sezonit 2018-2019. 51-vjeçari ka qenë i lidhur me gjigantët e Premier League (Chelsea), të cilët thuhet se janë të gatshëm t’i japin Maurizio Sarrit liri për t’u ulur në stolin e Juves.
Megjithatë, Allegri duket i vendosur të qëndrojë mënjanë disa kohë, pas largimit nga Torino. “Epo, vendimi im për të pushuar një vit ishte më i lehtë nga sa e prisja për t’u marrë, ngaqë nuk kam marrë ofertë nga asnjë skuadër, – tha Allegri në një event në Milano. – Kësisoji, duhet të ndalem, të pushoj. Ne jemi këtu sot, në këtë mot të nxehtë. Le të kemi një qershor të mirë dhe pastaj jemi gati për pushime. Unë do të marr një vit pushim për t’i karikuar bateritë, edhe për t’u marrë me jetën personale, që e kisha lënë pas dore”.