Kursimet nga puna efikase e organeve rregullatore, ulja e ekonomisë informale, rritja e efikasitetit të institucioneve etj. mund të sjellin së paku 300 milion euro me të cilat të hollat për një vit në tërësi të ndërtohen shkolla të reja aty ky ka nevojë, dhe të rindërtojë të tjera.
Nga Fisnik PASHOLLI
Sundimi i së drejtës po ngulfat ekonominë dhe bizneset në të rajonin e Ballkanit perëndimor. Jo vetëm tek ne por edhe tek fqinjët tanë ka ankesa dhe vërejtje për këtë sektor, edhe pse miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtar kanë investuar me vite të tëra resurse materiale, njerëzore, trajnime e kështu më radhë. Megjithatë sërish afaristët ankohen për gjyqësorin për procedura joefikase dhe të ngadalshme gjyqësore që po ngadalëson punën e tyre. Përmirësime në punën e këtij dikasteri vite me radhë kërkojnë edhe raportet dhe analizat e ndryshme të Komisionit Evropian, Fondit Monetar Ndërkombëtar,Bankës Botërore e kështu me radhë.
Sipas Komisionit Evropian, ka përparim edhe në reformat në sistemin gjyqësor, mirëpo institucionet relavante duhet të angazhohen që edhe përmes shembullit të tyre të kthejnë besimin në gjyqësor. Edhe rritja ekomomike prej së paku pesë deri gjashtë për qind në vit që do të këndell ekonominë dhe përmirëson më shpejt mirëqenien e popullatës , vështirë se mund të arrihet pa një efikasitet më të madh të gjyqësorit.
Mungesa e efikasitetit të institucioneve të shtetit. Akademia e Shkencave të Maqedonisë së Veriut javën që lamë pas organizoi një debat mjaft interesant .Subjekt i tryezës së rrumbullakët ku morrin pjesë profesorë universitar dhe përfaqësues të sektorit publik ishte puna e komisioneve të ndryshme rregullatore në shtet. Bile analizat e disa prej ekonomistëve tregojnë se shteti po humb së paku 2 miliardë euro prej punës jo cilësore të këtyre trupave që shpesh nuk po mbrojnë mjaftueshëm qytetarët dhe biznesin. Vlerësohet se si shtet jemi larg një situate optimale ku funksionimi si duhet i organeve rregullatore do të jetë jo vetëm mbështetje, por edhe do të krijojë një ambient të favorshëm për një ekonomi të fuqishme.
Ekonomia informale merr pjesë me 20 deri 40 për qind në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Vlerësohet se fshehja e tatimeve, parregullsitë në zbatimin e Ligjit për marrëdhënie pune, mita dhe korrupsioni, tregtia e palejuar dhe e paparaqitur me mallra nëpër kufi, pjesëmarrja e lartë e parave në dorë në totalin e parave etj. janë format kryesore të ekonomisë informale. Ajo është vështirë e matshme, por vetëm vlerësohet në bazë të më shumë treguesve duke nisur nga konsumi i rrymës për amvisëri, oferta dhe kërkesa në tregun e punës, etj
Edhe në Itali si një nga pesë ekonomitë më të fuqishme të Evropës, ekziston një ekonomie e fuqishme informale që para disa vitesh llogaritej në një të tretën e ekonomisë apo afër 540 miliardë euro. Mirëpo në rastin italian kemi të bëjmë me një ambient ndryshe ekonomik, politik dhe shoqëror, apo kemi të bëjmë me shifra tejet të mëdha. Në rastin tonë një dobi e madhe për zhvillimin e shtetit do të ishte kalimi për çdo vit nga pesë apo dhjetë për qind i rrjedhave informale të ekonomisë në ato formale.
Si përfundim. Nëse ekzekutivi në të ardhmen nga 2 miliardë euro që humben nga puna joefikase e organeve rregullatore arrin që në vit në arkën e shtetit të kthejë së paku pesë për qind apo100 milion euro, nëse arrin që nga ekonomia informale që llogaritet ndërmjet dy dhe katër miliardë euro të kthejë në rrjedhat e ekonomisë formale me mbështetjen më serioze, më të fuqishme dhe përmbajtësore të kalimit nga zona gri në zonën e ekonomisë tjetër, së paku pesë për qind apo 200 milionë euro, atëherë në vit po fitohen së paku 300 milionë euro. Nëse më tej do të zvogëlon perceptimit e korrupsionit i cili në fakt shpesh edhe nuk mund të matet dhe vlerësohet, por vetëm të ndjehet. Nëse rrit efikasitetin e punës së administratës dhe gjyqësorit dhe nëse për çdo vit në vend të importit të ushqimit prej 50 milionë euro do të kemi eksport të ushqimit prej 50 milionë euro. Dhe në fund të fundit nëse sa më shpejt do të ndërtohen edhe akset e rëndësishme rrugore në shtet në korridorin tetë si dhe në korridorin dhjetë. Atëherë në ekonominë vendore për një vit në kushtet më ideale dhe optimiste , do të kishim së paku 600 milionë euro të infuzionit financiar , ndërsa në kushtet më pesimiste do të kishim së paku 300 milionë euro të të hollave për të cilat me vite po kërkohen nga kreditë e jashtme apo edhe të brendshme.
Me 300 milionë euro do të mundej për një vit në tërësi të ndërtohen shkolla të reja aty ky ka nevojë, të rindërtohen, zgjerohen dhe pajisen të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në shtet për një vit, apo do të mund tërësisht të pajisen dhe rindërtohen të gjitha ambulancat dhe spitalet në tërë vendin me përjashtim të qendrave klinike. Apo me këtë shumë do të mund edhe të pajiseshin me mijëra e mijëra amvisëri falas me pajisje për shfrytëzimin e diellit për prodhim të energjisë diellore si dhe do të mundësohej edhe izolimi i mureve të shtëpive apo banesave, apo ndërrimi i dritareve me ato që mundësojnë kursim të energjisë. (koha.mk)