Fisnik PASHOLLI
Shkup, 11 korrik – Qeveria planifikon që deri në fund të vitit të hyjë në borxh prej 650 milionë euro për të realizuar pagesën e borxheve të ndryshme, si dhe funksionimin e shtetit në përgjithësi, shkruan gazeta KOHA. Sipas propozimit për plotësimin dhe ndryshimit e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2017, gjegjësisht rebalancit, mjetet prej 300 milionë euro do të huazohen në tregun vendor, ndërsa në rast nevoje do të huazohen edhe mjete prej 350 milionë euro në tregun vendor apo të jashtëm të kapitalit.
Nga ana tjetër, një pjesë e ekonomistëve i rekomandojnë qeverisë së re reformatore, që të huazojë së paku një miliardë euro në vit për pagesën e borxheve ndaj biznesit, investimeve në projektet urgjente në infrastrukturë si dhe mbështetjen më të madhe ndaj investitorëve vendor apo të huaj që do të hapin fabrika të reja përmes blerjes së teknologjisë së re.
Sipas ekspertit ekonomik, Sami Bislimi , pa para edhe nuk mund të ketë reforma të vërteta, të thella dhe të dobishme për ekonominë e vendit që do të sjellin edhe përmirësimin më të madh të mirëqenies së qytetarëve. Ai shton se në praktikë shtrohet çështja e financimit të ekonomisë në përgjithësi dhe zgjidhja e borxheve të shtetit ndaj kompanive private.
“Qeveria e re që deklarohet si reformatore, nuk mund të lëvizë ekonominë e shtetit pa huazime të reja prej së paku një miliard euro, qoftë me huazime nga bankat vendore apo jashtë shtetit. Me fjalë të tjera, nuk mund të ketë reforma pa para. Në këtë drejtim, së pari nevojitet të shqyrtohen të gjitha borxhet e shtetit ndaj biznesit se sa është me të vërtetë vlera e tyre, për shkak se në tenderët e ndryshëm kemi raste që një shërbim i caktuar në Maqedoni bile paguhet edhe disa herë më shtrenjtë se në shtetet perëndimore, kemi raste të borxheve të fryra përmes kamatave, ose realizimin e fitimeve të majme nga kompani pa asnjë të punësuar. E dyta nevojitet të financohen projektet prioritare të paralajmëruara nga qeveria e re lidhur me investimet kapitale, për shkak se nuk mund të ketë rritje ekonomike pa konsum publik në rritje, qoftë publik apo privat”, vlerëson për KOHA profesori universitar Sam Bislimi.
Ai shton më tej se çelësi i rritjes ekonomike të Maqedonisë, është rritja produktivitetit mjaft të ulët të fuqisë punëtore në shtet, me qëllim të rritjes së eksportit si një nga mbështetësit kryesor të gjallërimit të ekonomisë, së bashku me konsum. “Punëtorët tanë kanë produktivitet që i është për 4.2 herë më i dobët se ai i punëtorëve grek, 2.7 herë më i dobët se i punëtorit kroat apo për 1.9 herë më i dobët se produktivitetit i punëtorit turk. Andaj, Qeveria e re nevojitet të mbulojë në mos të gjitha harxhimet, atëherë një pjesë të madhe të kredive të firma për blerjen e teknologjisë së re, qoftë të investitorëve të vendor apo të huaj, që do të kthehen si me garanci të ndryshme ashtu edhe me prodhimtarinë e tyre“, vlerëson Sami Bislimi.
Sipas tij, si gjatë rebalancit që në është në rrjedhë e sipër, ashtu edhe në rebalancin potencial pas dy apo tre muajsh, nuk duhet të shkurtohen mjetet për harxhimet produktive si dhe duhet pasur kujdes që kompanitë të lirohen nga frika e dënimeve të pa-arsyeshme që në vit, së bashku me taksat apo pagesat administrative, arrijnë deri në 50 milionë euro.
Në ndërkohë, sipas projeksioneve të rebalancit të buxhetit, qeveria planifikon brenda shtetit të hyjë në borxh prej afër 340 milionë euro. Pjesa më e madhe e borxheve do të shfrytëzohen për financimin e nevojave në vitin 2017, ndërsa pjesa e mbetur do të bartet si depozitë për vitin 2018. Mjetet e depozitit do të shfrytëzohen për pagesën e këstit të parë të kredisë për financim të buxhetit në vlerë prej 95 milionë euro të nënshkruar në vitin 2013, që vjen për pagesë në 29 janar të vitit 2018, thuhet në propozimin e rebalancit të dorëzuar për miratim deri te Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Lidhur me huazimin e jashtëm, në buxhet parashikohen mjete prej afër 300 milionë euro. Nga Ministria e Financave vlerësojnë se gjasat për realizimin e këtij huazimi varen nga më shumë faktorë, siç janë lëvizja e shkallëve të kamatave në tregun ndërkombëtar të kapitalit, mundësinë që tregu vendor i letrave me vlerë tërësisht t’i përgjigjet nevojave për financim, si dhe gjendjes me realizimin e të ardhurave dhe harxhimeve në kuadër të buxhetit. Me qëllim të optimizmit të pagesës dhe uljes së rrezikut të refinancimit, angazhim kryesor i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, do të jetë rritja e afatit të letrave të lëshuara me vlerë përmes lëshimit të bonove të thesarit me afat më të gjatë pagese thuhet në propozim rebalancin e dërguar deri tek kuvendi.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.