Shkup, 26 shtator – Asociacioni për Iniciativa Demokratike (ADI), si organizatë e cila është aktive tash e 25 vjet në fushën e promovimit të të drejtave të njeriut, vlerave demokratike dhe marrëdhënieve ndëretnike, konsideron se është e rëndësishme që tu drejtohemi qytetarëve dhe t’i përkujtojmë ata për rëndësinë e prononcimit në referendum.
“Referendumi i 30 shtatorit, është momenti kyç për marrjen e një vendimi të guximshëm dhe të pjekur! Marrëveshja me Republikën e Greqisë nuk do të thotë zgjidhje e të gjitha problemeve të shtresuara me dekada, siç është shoqëria e partizuar, etnocentrizmi, praktika e mosndëshkimit, korrupsioni. Marrëveshja është e qartë dhe kusht pa mëdyshje për hyrje të Maqedonisë në NATO dhe BE, dhe këtu nuk ka asnjëfarë dileme. Alternativa është izolimi dhe pasiguria për ardhmërinë e vendit”, thuhet në komunikatën e ADI-it.
Të gjithë, vazhdon më tej komunikata, presim hapjen e perspektivave të reja për të rinjtë, respektimin dhe avancimin e të drejtave të njeriut, qasjen e lirë deri te drejtësia dhe e drejta.
“Kësaj jave, është momenti i pikërishëm kur patjetër të bëhet lëvizja e vërtetë, të sjellim vendimin përfundimtar, i cili do të thotë kapitull i ri në zhvillimin demokratik të shoqërisë sonë. Vendimi është i yni, të dalim dhe të votojmë!”.