Shkup, 20 dhjetor – Pas informatave në media se ka ngecje në importin me prodhimet bujqësore nga Shqipëria në Maqedoni të martën Ministria e Bujqësisë të Maqedonisë njoftoi se nuk ka asnjë pengesë në import. Ministria informon se ministri Mihail Cvetkov dhe sekretari shtetëror Besir Jashari kanë biseduar në telefon me ministrin e Bujqësisë të Shqipërisë Edmond Panaritin me ç’rast është konstatuar se për momentin nuk ka asnjë pengesë, e as bllokim të prodhimeve bujqësore nga Shqipëria në Maqedoni. Prej atje theksojnë se importi zhvillohet rregullisht pas kryerjes së analizave të nevojshme fitosanitare. Mediat e Shqipërisë transmetuan se autoritetet e Maqedonisë kanë ndaluar hyrjen e një sasie më të madhe perimesh me arsyetim se duhen analiza fitosanitare. Gazetat e transmetojnë edhe deklaratën e ministrit shqiptarë Panariti, sipas të cilit dje në kufij janë bllokuar dy kamionë me perime në vlerë prej 25 mijë euro.