Shkup, 12 shtator – Të hapur për bisedime të reja, por pa paralajmërime për tërheqje nga qëndrimet tashmë të vërtetuara për prokurorinë e re publike, në të cilën duhet të inkorporohet prokuroria speciale publike, ishin qëndrimet e kryeministrit dhe liderit të LSDM-së Zoran Zaev dhe kryetari të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski të martën. Të dy në pres-konferenca të ndara u akuzuan mes vete për mbrojtje të krimit dhe amnistisë duke i parashtruar pikëvështrimet dhe pozicionet e tyre. Paralajmërim për takim të ri tash për tash nuk ka, njofton Koha.mk
Shkarkimi i prokurores speciale publike Katica Janeva, e cila është në paraburgim dhe e akuzuar në “Reket”, duhet të ndodh deri më 15 shtator, ndërsa kjo ndërlidhet edhe me miratimin e ligjit të ri për prokurori publike.
PSP dje paradite e mori shkresën, që tek ta e dërgoi prokurori shtetëror publik, Lubomir Joveski për transferimin e lëndëve. Siç konfirmuan për MIA-n nga Prokuroria Speciale Publike, shkresa ka arritur në adresë të tyre, ndërkaq ata nesër do të dalin me kumtesë për hapa të mëtutjeshëm.
Joveski në një deklaratë për MIA-n tha se Prokuroria është e gatshme dhe ka kapacitet të veprojë rreth të gjitha lëndëve penale juridike nga PSP dhe se shpreson që procesi do të rrjedhë shpejtë.
Gruevizëm deri natën vonë, kërkesë kundër ç’do logjike, kundër drejtësisë, kundër BE-së dhe NATO-s, kundër qytetarëve, vlerave, standardeve dhe parimeve, kështu kryeministri Zoran Zaev sot në konferencën për shtyp e vlerësoi rrjedhën e takimit të mbrëmshëm të liderëve dhe kushtin e vetëm, të cilën, siç tha, e ka parashtruar Mickoski.
“Jam i zhgënjyer nga rrjedha e takimit të liderëve dhe nga sjellja e Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së. Kisha pak shpresë se është e mundur që ta ndryshojnë matricën dhe të dalin nga synimet e paraardhësve të tyre.Por, për fat të keq, kjo nuk ndodhi. Sado që të jemi ne komprometues dhe nënshtrues në negociata, në fund, gjithmonë, gjatë gjithë kohës te Mickoski gjithçka zbret në një kërkesë – amnisti ose shkatërrim, ndalim dhe fund të rasteve të regjimit paraprak. U munduam me gjithçka, të dalim në vigjilje të çdo kërkese të mençur ose kushte të cilat ishin parashtruar, u munduam të shohim nëpër sytë e opozitës, por u përballëm me kërkesë të pamundur – lëndët e PSP-së të vijnë nën kontroll të tyre, të VMRO-DPMNE-së me ligj të vuloset fati dhe të ndërprehen të gjitha parahetimet dhe hetimet, krimin ta mbulojmë. Atë nuk guxojmë ta lejojmë, atë linjë të kuqe nuk guxojmë ta kalojmë”, tha Zaev, duke shtuar se drejtësi dhe shtet juridik duhet të ketë dhe do të ketë, nuk ka kompromis rreth këtyre çështjeve.
Ai theksoi se lëndët e PSP-së do të vazhdojnë të procesohen, por në gjykatë, jashtë çfarëdo lloj ndikimi politik, larg duarve të politikanëve. Zgjidhja, sërish, në lidhje me ligjin e prokurorisë edhe më tutje, vetëm mund të kërkohet në bisedat me opozitën.
“Përderisa ekzistojnë shanse, duhet të lihen dyert e hapura për biseda. Çdo ide, mendim dhe risi, mund të na ndihmojë deri te gjetja eventuale e vendimit. Me këtë rast dua edhe të apeloj , në vigjilje të vendimit për marrje të datës për negociata, opozita të shohë sa është e rëndësishme të tregojmë se mundemi t’i vendosim interesat shtetërore mbi ato partiake. Për ç’farëdo lloj rrjedhe tjetër, përveç marrjes së datës për negociata, sipas të gjitha përpjekjeve, e qartë është se fajtorët e vetëm do të jenë lideri i VMRO-DPMNE-së dhe VMRO-DPMNE si parti. Atë përgjegjësi do të duhet ta pranojnë”, nënvizoi kryeministri.
Pushteti, informon Zaev, në takimin e liderëve ka propozuar që prokuroria e re të mbetet në nivel të njejtë me prokurorinë për krim të organizuar dhe korrupsion. Ka dhënë, siç theksoi vendime kreative dhe propozime, mundësi që opozita të ndjehet e përfshirë në proces dhe të besojë në të. Por, për VMRO-DPMNE-në ka qenë e rëndësishme vetëm ti ndërmarrë lëndët e PSP-së, ato të vijnë në prokurori shefi i të cilëve do të jetë në propozim të tyre. Ajo është absolutisht e palejueshme, potencon kryeministri, sepse nuk ekziston mënyrë që dikush të garantojë se pikërisht ai shef në një moment nuk do të vendosë ta shkatërrojë, i tërhoqi ose anuloi të gjitha ato lëndë.
“Më vjen keq që Mickoski dhe VMRO-DPMNE jetojnë të robëruar nga ana e udhëheqësisë së tyre paraprake. Ajo është përshtypja ime. Nuk arritën të shohin se tani është momenti të gjithëve të tregojmë se jemi për drejtësi dhe për shtet juridik. Tërësisht në kundërshtim me parimin e drejtësisë, kërkojnë të gjitha lëndët nga 30 qershori i vitit 2017 t’i ndërmarrë një prokuror i zgjedhur nga ana e tyre. Kuptohet, me qëllim që pastaj të bëhen shkatërrime, ndalesa, anulime, mbyllje, mbulime, të mos saktësohet në vendimin ligjor që me lëndët të cilat janë në fazë hetuese ose parahetuese. Ne ofruam formim të prokurorisë së re e cila do ta ndjek korrupsionin e lartë, në të cilën prokurori i parë do të zgjidhet në propozim të opozitës, por atyre nuk u intereson lufta kundër korrupsionit, u intereson ta shpëtojnë krimin e regjimit”, theksoi Zaev.
Siguruam, plotësoi edhe të gjitha lëndët të kalojnë te prokurori shtetëror publik, Jovevski, pavarësisht se në cilën procedurë janë. Praktikisht, drejtësia të vendosë, ndërsa jo politikanët.
“Propozuam edhe Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion të mbetet siç është, por ne politikanët të ndërrojmë prokurorë, në mes ose fillim të mandatit, Zaev dhe Mickoski të menaxhojnë me prokurorinë. Jo. Edhe atë e siguruam. Risi ishte të formohet ajo prokurori e re, për ndjekje të korrupsionit të lartë, për të dalë në vigjilje të opozitës, dhe të fillojë me hetime. Propozimi të vjen nga opozita, ta zgjedhë Parlamenti dhe në fund ta konfirmojë Këshilli i prokurorëve. Kemi dhënë të drejtë që ajo prokurori të mbështetet dhe financiarisht të jetë e pavarur, dhe propozimi të vjen nga opozita. Dhe të fillojë të formojë raste prej tani e tutje, por edhe nga viti 2013, 2017 pavarësisht se kur ka filluar ndonjë vepër penale, ta ndjekë edhe kryetarin e komunës Zaev nga viti 2015 ose ndonjë figurë tjetër nga pushteti paraprak dhe i tanishëm, të hapë lëndë”, sqaroi kryeministri.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në lidhje me kërkesën e VMRO-DPMNE-së për ndërrim të prokurores Ruskovska, sqaroi se individët nuk guxojnë të jenë pengesë për asnjë vendim sistematik.
“Ruskovska udhëheq lëndë të rëndësishme, aktuale, por nuk mund ta ndërroni prokurorin nëse i kujtohet Zaevit ose Mickoskit. Hetimi duhet të zgjasë deri në fund. Me ndërrim eventual të Ruskovskës do të dërgojmë porosi se frikohemi të mos arrijnë. Nuk u takon politikanëve të tregojnë se ku çon “Reket” ose ndonjë hetim tjetër, e jona është të sigurojmë hetim të pavarur, ndërsa jo të tregojmë nëse “Reket” çon drejt Zaevit ose Mickoskit”, tha Zaev.
Lideri i VMRO-DPMNE-së opozitare Hrisitian Mickoski sot e akuzoi kryeministrin Zoran Zaev se në takimin e mbrëmshëm të liderëve ka ardhur me plan të mos arrihet marrëveshje dhe t’i mbrojë krimet e tij dhe bashkëpunëtorëve të tij, por ka lënë hapësirë për vazhdimin e negociatave për ligjin e prokurorisë publike, në cilën pikë puna përfundoi pa sukses.
Kërkesa e Zaevit, siç tha, për amnisti për të gjithë ka sjellë deri te ajo mbrëmë të mos kenë sukses negociatat sepse nuk ka pranuar prokuroria e re që e propozon pushteti të merret me korrupsionin e të gjitha lëndëve pa marrë parasysh kohën e lëndës dhe kryerësin e veprës.
Kryeministri Zaev sipas tij, ka dhënë propozim prej disa pikësh edhe atë formim i Prokurorisë publike për korrupsion të lartë e cila do të ishte në nivel identik me Prokurorinë e Ruskovskës, ndërsa prokurori i cili duhet të udhëheq këtë prokurori duhet të jetë propozim i partisë më të madhe opozitare në këtë rast VMRO-DPMNE-së, ndërsa në kompetencat që do t’i ketë pasi të merr dhjetë ndihmësit e prokurores speciale publike, Katica Janeva, të jepen edhe kompetenca për ndjekje të krimit ndaj personave të cilët janë zgjedhur dhe emëruar. Zaev sipas liderit të VMRO-DPMNE-së, ka propozuar edhe klauzolë mbrojtëse sipas së cilës një periudhë të caktuar nëse pushteti nuk e pranon propozimin e opozitës për person i cili do të drejtojë prokurorinë, “atëherë Këshilli i prokurorëve publik të zgjedh prokuror nga radhët e këtyre dhjetëve të cilët kanë kaluar nga PSP në Prokurorinë e re për ndjekje të korrupsionit të lartë”.
Sipas Mickoskit, pushteti do të motivohet që asnjëherë të mos e pranojë propozimin e opozitës.
“Praktikisht oferta e Zaevit ka qenë PSP e re e udhëhequr nga ana e një prej dhjetë ndihmësve të Katica Janevës si hallkë ofensive, prokurori të cilën do ta udhëheq Ruskovska si hallkë defensive dhe e gjithë kjo e drejtuar nga Jovevski”, ka thënë Mickoski.
Sipas tij, VMRO-DPMNE është pajtuar të ekzistojë Prokurori publike për ndjekje të korrupsionit të lartë, opozita të propozojë prokuror me kompetencat shtesë që i dedikohen ndjekjes së krimit për personat që janë zgjedhur dhe emëruar. Por, ka shtuar Mickoski, nëse duam marrëveshje patjetër të respektohet ligji i PSP-së, ajo është se pas ndërprerjes së mandatit të Prokurorisë speciale publike, ndërpritet mandati i ndihmësve të tyre dhe ata kthehen në prokuroritë amë nga ku kanë ardhur.
Sipas liderit të VMRO-së, në pyetjen e tij Zaev ka thënë se rasti “Reket” ku e akuzuar është edhe prokurorja speciale publike që është person i përzgjedhur do të mbetet tek prokurorja e ekzistuese. Pse atëherë, ka pyetur Mickoski dakordojmë kompetenca për ndjekje të korrupsionit të personave të zgjedhur dhe emëruar?
“Por unë e di motivin dhe arsyen pse ajo është kështu, pasi ekziston dyshim për ‘Reket 2’, për ‘Reket 3’, për ‘Reket 4’, për ‘Reket 5’, por edhe vepra tjera penale që ky pushtet tashmë tre vjet i bën prandaj ju nevojitet Ruskovska që të bëjë amnisti dhe të mbrojë Zaevin dhe LSDM-në nga përgjegjësia për krimin e kryer. Shkurt, ky ka qenë skenari i takimit të mbrëmshëm”, ka thënë Mickoski.
Zaev, sipas tij, e ka refuzuar propozimin e tyre prokurori i ri të merret me persona të zgjedhur dhe të emëruar, pa dallim kur është kryer ai krim dhe pa dallim nëse bëhet fjalë për krim të personave të zgjedhur ose emëruar nga LSDM, VMRO-DPMNE, BDI, Aleanca, BESA…Mickoski ka thënë se takimi i mbrëmshëm nuk ka qenë i suksesshëm pasi Zaev ka kërkuar amnisti për të gjithë.
Mickovski, ai i ka vlerësuar të pavërteta akuzat e kryeministrit dhe liderit të LSDM-së, Zaev për të për rastin “Zhvatja”.
Zëvendëskryeministri Bujar Osmani, i cili njëherit është funksionar i lartë i BDI-së, deklaroi se dallimet rreth Ligjit për Prokurorinë Publike nuk janë të pakapërcyeshme. Sipas tij momenti është i papërsëritur.
Konsideroj, shtoi ai, se liderët politik e kuptojnë vlerën dhe askush nuk do të lejojë të mos arrijmë në tetor.
“Për atë jam optimist sepse çështja është shumë e rëndësishme për qytetarët. Me më shumë vullnet politik mund të gjendet zgjidhje”, theksoi Osmani.
Në pyetjen e gazetarëve pse nuk ka marrë pjesë në takimin e mbrëmshëm, zëvendëskryeministri Osmani tha se si parti nuk ishin të pranishëm sepse nuk janë pjesë e problemit.
“Si Qeveri kemi qëndrim të harmonizuar për prokurorinë publike dhe së bashku e sollëm ligjin në seancë qeveritare. Në ligjin janë inkorporuar edhe qëndrimet e BDI-së”, theksoi Osmani.
Nga partia e BESË-s potencuan se absolutisht është e papranueshme dy palët të kyçura drejtpërdrejt ose indirekt në procedura gjyqësore ose janë në hetim të prokurorisë speciale publike të negociojnë për të ardhmen e institucioneve të këtilla të rëndësishme në vend.
“Është krejtësisht e papranueshme që dy palë të involvuara në formë direkte apo indirkete në
proceset gjyqësore apo të Prokurorisë Publike dhe asaj Speciale, të njëjtat të mund të negociojnë
edhe për të ardhmen e këtyre institucioneve kaq të rëndësishme për vendin. As LSDM e as
VMRO-DPMNE, edhe përfaqësuesit politik të BDI-së nuk mund të vendosin për një sistem
gjyqësor të pavarur dhe profesional pasi të dyja palët me emëruesin e tyre të përbashkët janë
aktorë të që duan t’i ikin drejtësisë. Prandaj kërkojmë një komision shtetëror të përbërë nga
profesionist dhe i kontrolluar nga ekspertët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi
Evropian”, tha dje Bilall Kasami, kryetar i partisë opozitare BESA.
Aleanca për Shqiptarët gjithashtu reagoi se si parti politike nuk është ftuar të marrë pjesë në takimin e liderëve të kryeministrit Zoran Zaev dhe liderit të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski. Në takime të këtilla, siç tha lideri i partisë Ziadin Sela, duhet të marrin pjesë katër partitë më të mëdha politike.
“Për Aleancën për Shqiptarët nuk do të pranohet kurrfarë marrëveshje në të ardhmen që do të arrihet vetëm mes një blloku të partive politike. Koncepti katër parti më të mëdha politike, dy nga partitë politike maqedonase dhe dy nga partitë politike shqiptare duhet të vazhdojë”, tha Sela në takimin e sotëm me mediat. Shtoi se si opozitë shqiptare kanë çfarë të thonë për më shumë tema, mes të cilave regjistrimin, Ligjin e PSP-së, për reformat në Kodin Zgjedhor.
Sela theksoi se e dënojnë sjelljen e kryeministrit i cili, siç tha, sillet në mënyrë mospërfillëse ndaj opozitës.
Sipas Selës, sjellja e VMRO-DPMNE-së, LSDM-së dhe BDI-së është e papranueshme lidhur me amendamentet për ligjin për PP. Aleanca për Shqiptarët propozon që në të ardhmen me PSP-në të udhëheqë prokuror nga jashtë, më saktë nga vendet e BE-së apo të SHBA-së.
Në Shkup qëndron eksperti juridik i Komisionit Evropian Rajnhard Pribe, i cili duke folur në konferencën ndërkombëtare shkencore “Sundimi i mirë dhe sundimi i së drejtës nga perspektiva e BE integrimeve” theksoi se ndonjëherë nevojiten ndryshime në legjislacion, ndërsa për atë duhen politikanë të pavarur, të cilët do të bëjnë reforma përkatëse.
“Në, mënyrë të tillë sistemi juridik do të mund të vendosë pavarësi. Pa menaxhim demokratik, nuk mund të ekzistojë as qeverisje e së drejtës”; thotë Pribe. (koha.mk)