Formula për rritjen e besimit është e thjeshtë: punoni në mënyrë të paanshme, manifestoni shkallë të lartë të profesionalizmit, luftoni, shfrytëzoni të gjitha instrumentet të cilat ju janë dhënë dhe bindini institucionet t’i respektojnë dhe zbatojnë rregullat të cilat qytetarëve ua garantojnë të drejtat. Kur thuhet kështu, tingëllon shkëlqyeshëm edhe pse për fat të keq në praktikë, zbatimi i kësaj formule nuk është edhe aq i lehtë për shkak se edhe pas 20 vitesh ende ka organe dhe institucione të cilat thjeshtë nuk e dinë se çka është Avokati i Popullit…, thotë në këtë intervistë Avokati i Popullit, Ixhet Memeti
Bisedoi: Omer XHAFERI
KOHA: Fillimisht Ju urojmë përvjetorin e 20 të themelimit të Zyrës së Avokatit të Popullit në Maqedoni dhe Ju dëshirojmë shumë fat dhe sukses në punën e mëtutjeshme!
MEMETI: Ju falënderoj për urimet. Do të doja ta shfrytëzoj këtë intervistë që ta falënderoj jo vetëm median tuaj, por edhe të gjitha mediat e tjera të cilat gjatë dy dekadave të kaluara kanë qenë aleatë të mëdhenj në promovimin dhe etablimin e Institucionit. Unë vazhdimisht e përsëris se mediat janë aleati më i madh i Avokatit të Popullit. Ata janë porta përmes së cilës kalojnë informacionet, dhe përmes së cilave qytetarët informohen për atë se kush është Avokati i Popullit, cili është mandati i tij dhe si mund t’u ndihmojë. Shpresoj se ky bashkëpunim të vazhdoj edhe më tutje, madje me intensitet akoma më të madh.
KOHA: Dy dekada më vonë Ombudsmani i Maqedonisë, zë një vend të rëndësishëm në zhvillimin e jetës shoqërore në vend dhe si i tillë, ai ka arritur të bëhet një derë e shpresës për shumë qytetarët, liritë dhe të drejtat e të cilëve shpeshherë nuk respektohen. Si ishte rrugëtimi dhe ndërtimi i Ombudsmanit në Maqedoni gjatë 20 viteve të kaluara?
MEMETI: Do të përpiqem t’i përgjigjem pyetjes tuaj, edhe pse e pranoj se është e vështirë që me disa fjalë të përshkruhet ajo që është ndërtuar gjatë dy dekadave. Duke e pasur parasysh faktin se unë jam Ombudsmani i dytë, para meje këtë funksione ushtronte z. Branko Naumoski, kështu që pyetjes do t’i përgjigjem nga perspektiva ime, edhe pse konsideroj se edhe paraardhësi im do të dakordohej me konstatimin se themelimi i institucionit, fillimet e tij nuk ishin të lehta. Kur e them këtë, e kam parasysh faktin se Institucioni Avokat i Popullit është përcaktuar me Kushtetutën e vitit 1991, megjithatë, Ligji për Avokatin e Popullit është miratuar në vitin 1997. Kjo tregon se, në njëfarë mënyre, nuk ka pasur sens për rëndësinë e ekzistimit të një trupi të pavarur, puna primare e të cilit është mbrojtja e të drejtave të qytetarëve. Prandaj, nuk guxojmë ta harrojmë faktin se Institucioni u ngrit paralelisht me tranzicionin, përmes së cilit kalonte shoqëria me ndryshimin e sistemit dhe të gjitha pasojat të cilat i barte me vete ky ndryshim. Të jesh i pari në diçka, ose të thyhet akulli, është vërtetë shumë e vështirë. Në parim, asnjë pushtet nuk dëshiron të ketë një mekanizëm kontrollues i cili do ta monitoroj punën e tij, punën e administratës, mekanizëm i cili do të reagoj në mënyrë të paanshme çdoherë kur do të konstatoj se shkelen rregullat në llogari të të drejtave të qytetarëve. Megjithatë, nëse merren parasysh të dhënat se ku ka qenë Institucioni në fillim dhe ku është tani, konsideroj se është bërë shumë punë që ai sot të jetë instrument emblematik i qytetarëve në mbrojtjen e të drejtave të tyre. Besimi i tyre gjatë viteve rritej vazhdimisht e që është tregues i vetëm për atë se a kemi qenë në rrugën e duhur. Zhvillimin e Institucionit do ta ndaja në dy periudha kohore: Periudha e parë – Fillimi dhe Periudha e dytë – Zhvillimi.
Periudha e parë është koha kur themelohej Institucioni, kur ekipohej me kuadër dhe kur bëheshin përpjekje ta gjente vendin e tij në shoqëri. Jam plotësisht i sigurt se një gjë e këtillë nuk ka qenë fare e lehtë, për shkak se edhe sot, pas 20 vjetësh, nga ana e institucioneve të caktuara akoma përballemi me problemin e terminit se çka do të thotë Ombudsman, kështu që mund ta merrni me mend se si ka qenë situata në fillim kur, nga ana e institucioneve të caktuara, shumë pak është ditur se kush është Avokati i Popullit. Dhe jo vetëm kaq. Problemet me pavarësinë financiare dhe kapacitetet kadrovike edhe sot e kësaj dite janë problem i madh që ndikon në kryerjen e funksionit. Unë vazhdimisht e përsëris se Avokati i Popullit nuk ka pas vete një instrument të detyrueshëm me ndihmën e të cilit do t’i zbatoj vendimet e tij. Fuqia e tij qëndron në fuqinë e bindjes së organeve se në mënyrë të gabuar e kanë zbatuar ndonjë rregull edhe atë në dëm të të drejtave të qytetarit. Gjithashtu, në një shoqëri në tranzicion dhe me nivel të ulët të demokracisë duhet ta pranoni se bindja është e vështirë.
Sa i përket fazës së dytë të zhvillimit, do të them se ajo është shumë dinamike dhe bart me vete ndryshime të mëdha edhe në strukturim edhe në funksionim. Në këtë periudhë janë bërë ndryshime të mëdha, para së gjithash, me decentralizimin e Institucionit përmes hapjes së gjashtë zyrave rajonale, me çka Ombudsmani u afrua akoma më pranë qytetarëve. Në këtë periudhë e morëm mandatin për ndjekjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të bashkësive në institucione. Konsideroj se kjo kompetencë nuk i është dhënë rastësisht Ombudsmanit, por se ky është rezultat se ai në mënyrë të paanshme, pa bërë politikë, do të ofroj një pasqyrë reale për gjendjen me përfaqësimin e të gjitha bashkësive. Gjithashtu, është me rëndësi edhe marrja e mundësisë për mbrojtjen nga diskriminimi, e cila në shoqëri multietnike, siç është e jona, padyshim se është i pranishëm. Po ashtu, duke i ndjekur ndryshimet në shoqëri e morëm rolin e parandalimit të torturës që përmes fitimit të mandatit të veprojmë si Mekanizëm Parandalues Nacional (MPN) me çka na u dha mundësia për prevenim, por edhe për mbrojtjen e një kategorie vulnerabile, siç janë personat të cilëve u është kufizuar lëvizja, dhe të cilët pikërisht për këtë ekspozohen në rrezik të madh të jenë viktima të torturës dhe llojeve tjera të trajtimit jonjerëzor.
Ndryshime të rëndësishme janë bërë në vitet e fundit kur e morëm mandatin për promovimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, mundësinë të veprojmë si “Mik i gjykatës” dhe ndryshimet e fundit me të cilat Avokati i Popullit, bashkë me sektorin joqeveritar, e mori mandatin për kontrollin mbi punën e policisë dhe policisë së burgjeve. Në praktikë, kjo do të thotë se mund të ndërmarrim veprime dhe masa për sigurimin e mbështetjes dhe mbrojtjes së viktimave, interesave të drejtave të tyre në të gjitha procedurat të cilat zhvillohen kundër personave me autorizime policore, si dhe pjesëtarët e policisë së burgjeve për vepra penale gjatë kryerjes së shërbimit të tyre. Në pika të shkurtra, këto janë karakteristikat e zhvillimit të Institucionit gjatë 20 viteve të kaluara.
KOHA: Shumë institucione në vend edhe pse thuhet se faza e tranzicionit në Maqedoni ka kaluar, të njëjtat edhe më tutje përballen me një shkallë të ulët të besueshmërisë nga ana e qytetarëve. Në këtë drejtim, na tregoni se cila është formula të cilën Avokati i Popullit e përdori gjatë këtyre 20 vitesh dhe e cila ndikoi që një numër i mirë i qytetarëve t’ju drejtohen juve për zgjidhjen e halleve dhe problemeve kundrejt institucioneve tjera?
MEMETI: Formula është e thjeshtë, punoni në mënyrë të paanshme, manifestoni shkallë të lartë të profesionalizmit, luftoni, shfrytëzoni të gjitha instrumentet të cilat ju janë dhënë dhe bindini institucionet t’i respektojnë dhe zbatojnë rregullat të cilat qytetarëve ua garantojnë të drejtat. Kur thuhet kështu, tingëllon shkëlqyeshëm edhe pse për fat të keq në praktikë, zbatimi i kësaj formule nuk është edhe aq i lehtë për shkak se edhe pas 20 vitesh ende ka organe dhe institucione të cilat thjeshtë nuk e dinë se çka është Avokati i Popullit. Tanimë e përmenda se në shoqëritë në tranzicion bindja është shumë e vështirë, e ngadalë, por nuk mund të heqim dorë nga kjo, për faktin se çdo qytetar, pavarësisht se cilës bashkësi, fe, gjini, racë i përket, meriton respektimin e të drejtave të tij. Nuk ka mirënjohje më të madhe për një ombudsman sesa niveli i lartë i besimit nga qytetarët, veçanërisht në kushte të tranzicionit dhe krizës politike, të cilat ishin karakteristike gjatë viteve të kaluara. Në të vërtetë, Institucioni ekziston për qytetarët. Në një farë mënyre ne i përfaqësojmë ata dhe së këtejmi lind edhe emërtimi “Avokat i Qytetarëve”. Ndërtimi i besimit të ndërsjellë me qytetarët është motiv i madh për punë, për arritjen e suksesit në drejtim të etablimit akoma më të madh të Institucionit në shoqëri.
KOHA: Ndër vërejtjet më të shpeshta të opinionit ndaj Ombudsmanit janë se ai nuk vepron në kohë për parashtresa e tyre, gjegjësisht qëndrimi i juaj çdoherë ka qenë se mungesa e kuadrit dhe financave paraqet pengesa kryesor për shqyrtimin e të gjitha ankesave. Vallë edhe pas 20 viteve zyra e Avokatit të Popullit në Maqedoni ka mungesë kadrovike dhe në çfarë mënyrë i mbuloni kërkesat e shumta për shkeljet e ndryshme të lirive dhe të drejtave të njeriut?
MEMETI: Qëndrimi im, sa i përket kësaj pyetje, nuk ka ndryshuar ende, edhe pse, të jemi real dhe objektiv, buxheti i fundit është buxheti më i mirë të cilin deri më tani, e ka marrë ky Institucion. Gjatë krijimit të tij u respektuan të gjitha ndryshimet ligjore sa i përket konsultimeve me Avokatin e Popullit, para se i njëjti të votohet në Parlament. Kjo është një lëvizje, e cila duhet përshëndetur dhe e cila jep shpresë që në një të ardhme do të arrijmë deri në nivelin e pavarësisë së mirëfilltë financiare, e cila është faktor kryesor në kryerjen e punës sonë. Në të vërtetë, edhe vet definicioni “trup i pavarur rregullator” para së gjithash e nënkupton pavarësinë financiare.
Sa i përket ekipimit kadrovik, edhe këtu kemi shumë punë për të bërë, duke e pasur parasysh faktin se me ndryshimet e fundit ligjore morëm mandate të reja, të cilat pa kuadër thjeshtë nuk mund të realizohen. Pikërisht përmes zgjidhjes së kësaj çështjeje do të shihet nëse autoritetet me të vërtetë dëshirojnë mekanizëm të fuqishëm për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, apo bëhet fjalë vetëm për angazhime deklarative, me qëllim të plotësimit të detyrave të dhëna nga Bashkimi Evropian. Si përfundim, nëse mandatet e dhëna nuk jetësohen në praktikë një gjë e këtillë do të ndikoj direkt në dëm të qytetarëve. Për shembull, nëse Ombudsmani nuk fillon ta kryej kontrollin mbi punën e policisë, qytetarët edhe më tej do të jenë në rrezik lidhur me përballjen me brutalitetin policor, ndërsa mosndëshkimi do të vazhdoj të qëndroj në raportet e BE-së, si një problem i madh i shtetit. E them këtë për shkak se problemet, të cilët janë konstatuar ndër vite, duhet të zgjidhen doemos. Shteti ligjor nuk ndërtohet nëpër kabinetet ministrore, por në realitet, përmes mundësimit të qytetarëve të ndjejnë se ligjet zbatohen/vlejnë njësoj për të gjithë.
KOHA: Ky është mandati i dytë të cilën ju e ushtroni si Ombudsmani i Maqedoni. Përgjatë kohës sa jeni në këtë pozitë, cilat kanë qenë peripecitë me të cilët jeni ballafaquar dhe cilën periudhë të mandatit të juaj do të veçoni si më të rëndën?
MEMETI: Më duhet të pranoj se gjatë këtyre 14 vjetëve, aq sa jam në këtë funksion, ka pasur situata dhe peripeci të ndryshme përmes të cilave kam kaluar. Nuk është e lehtë të jesh Ombudsman. Pse e them këtë? Për shkak se edhe unë, por edhe të punësuarit e mi, për çdo ditë ballafaqohemi me fate të ndryshme të njerëzve, të cilat padyshim se ndikojnë mbi ne. Domethënë, për çdo ditë ballafaqohemi me histori jetësore të cilat duhet t’i zgjidhim. Problemet e palëve, në njëfarë mënyre, i bartim edhe në shtëpi. Dhe, çka do të thotë kjo? Kjo do të thotë se në të vërtetë, ju nuk jeni Ombudsman vetëm gjatë tetë orëve të punës. Shpeshherë, kam menduar dhe jam përpjekur të vihem në pozitën e atyre të cilët drejtohen për ndihmë dhe më duhet të pranoj se me të vërtetë e kam pasur vështirë, dhe nuk jam ndier mirë, sepse padrejtësia dhemb. Sigurisht se kur do të konstatoni se qytetari vërtetë ka të drejtë dhe se në kërkim të së drejtës së tij ka kaluar përmes një golgote të vërtetë, i shihni me sy tjetër punët dhe përpiqeni maksimalisht ta korrigjoni padrejtësinë që i është shkaktuar, për shkak se, në njëfarë mënyre, për shumëkënd ne jemi shpresa e fundit ku funksionon shteti ligjor. Dhe, pikërisht kjo është sfida më e madhe në punën time/tonë.
Meqë ma parashtruat këtë pyetje, nuk mund të mos e përmend rizgjedhjen time, e cila më ndjek edhe sot e kësaj dite. Unë, disa herë, kam thënë se më rëndon kjo ngjarje. Ndoshta pikërisht ky ishte momenti më i vështirë i imi, të cilin e kam përjetuar dhe që më ka shkaktuar dhe ende edhe më tutje i vuaj kritikat, por personalisht konsideroj se nuk gabova kur e pranova edhe mandatin e dytë. Dëshmi për këtë është se besimi i qytetarëve nuk ka rënë për asnjë moment, por edhe Raporti i njohur i Pribe-s, i cili e dha notën më të lartë për punën e Institucionit të cilin e udhëheq.
KOHA: Gjatë prezantimit të Raportit të fundit të Ombudsmanit theksuar se, që nga viti i kaluar është përmirësuar komunikimi i institucioneve shtetërore me kërkesat e Avokatit të Popullit. Në çfarë menduar konkretisht kur deklaruat një gjë të tillë, ose cilët janë ato institucione që ngurrojnë të përgjigjen në kërkesat Tuaja?
MEMETI: Për fat të keq, ja edhe pas dy dekadash, ne ende flasim për mosbashkëpunimin e institucioneve me Ombudsmanin, çështje e cila duhej të ishte tejkaluar deri më tani. Si shembull, për mosbashkëpunim do ta theksoja sjelljen e prokurorisë publike e cila në vazhdimësi i injoron kallëzimet të cilat i paraqesim, edhe pse të njëjtat mbështeten mbi prova të forta. Në raportin me këtë organ kishte edhe situata (bëhet fjalë për lëndën kur punonim në lëndën me përgjimet e paligjshme) kur morëm përgjigje se të gjitha informacionet janë publikuar në ueb faqen e tyre dhe se mund t’i shfrytëzojmë të njëjtat. Për fat të keq, ky institucion nuk është i vetmi që ka sjellje të këtillë ndaj Avokatit të Popullit. Si shembull për mosbashkëpunim do ta theksoja edhe Radio Televizionin e Maqedonisë, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, të Punëve të Brendshme, dhe NP “Pyjet e Maqedonisë”.
Por, të mos duket se vetëm kritikoj, me këtë rast do të doja të theksoj se dalëngadalë po fillojmë ta tejkalojmë problemin kryesor i cili zvarritej vite me radhë dhe ai është respektimi i rekomandimeve të përgjithshme të dhëna në Raportet vjetore të Avokatit të Popullit, përmes miratimit të masave nga ana e Parlamentit, me të cilat pushteti ekzekutiv angazhohet të veproj dhe pas gjashtë muajsh të njoftoj se deri ku ka arritur implementimi. Ky është një ndryshim i rëndësishëm i cili shpresojmë se në vitet e ardhshme do t’i jep rezultatet e pritura, përmirësimin e sistemit, ligje të zbatueshme, administratë profesionale.
KOHA: Mund të na thoni shkurt se, cili dikaster i pushtetit nuk respekton të drejtat dhe liritë e njeriut, ose i shkelë më së shumti ato?
MEMETI: Vite me radhë, në raporte në vend të parë janë ankesat e qytetarëve, të cilat kanë të bëjnë me punën e gjyqësorit, policisë, ndërsa viteve të fundit edhe të punës së përmbaruesve dhe disa ndërmarrjeve publike. Konsideroj se pikërisht këto të dhëna ishin shkak për marrjen e mandatit të ri “Mik i gjykatës”, me të cilin na u dha mundësia të marrim pjesë në seancat gjyqësore dhe të japim propozime dhe mendime, të cilat gjykata duhet t’i merr parasysh. Dua të theksoj se, tani për tani, me vështirësi të mëdha e realizojmë këtë mandat, jemi pritur keq nga ana e gjykatësve të caktuar, megjithatë mendoj se së shpejti do të tejkalohen këto probleme. Kur e them këtë, dua të them se çdo fillim është i vështirë.
Sa i përket mandatit për kontroll të jashtëm të policisë, ai në një të ardhme të shpejt duhet të filloj të funksionoj. Konsideroj se të gjithë ata që do të marrin pjesë dhe që do ta zbatojnë këtë mandat, do t’i qasen me seriozet dhe profesionalizëm të madhe, sepse vetëm në këtë mënyrë do të kemi polici me profesionalizëm të lartë, e cila do të punoj nga pozita e mbrojtësit të qytetarëve.
Në rrjedhë e sipër janë ndryshimet e Ligjit për përmbarim dhe unë sinqerisht shpresoj se do të merren parasysh vërejtjet tona, të cilat burojnë nga praktika, më saktësisht nga ankesat e qytetarëve. Përkatësisht, se do të tejkalohet problemi i procedurës së përmbarimit që ata të mbeten pa mjete themelore ekzistenciale.
KOHA: Keni theksuar se shumë institucioni, edhe pse paraprakisht kanë pranuar vërejtjet e Obdusmanit, të njëjtat nuk i kanë përmirësuar “gabimet”. Në këto raste, cili është roli dhe puna e Obdusmanit?
MEMETI: Roli kryesor i Ombudsmanit është të jetë korrektor i pushtetit, që do të thotë vazhdimisht ta përkujtoj për dobësitë dhe të cilat do t’i përcaktoj përmes punës së tij. Për fat të keq, tek ne kritikat që i drejton, nuk kuptohen si mirëdashëse prandaj dhe këtu qëndron problemi kryesor në të cilin duhet të punohet. Përderisa kritikat e adresuara kuptohen personalisht, dhe jo si një përpjekje për përmirësimin e gjendjeve, në emër dhe në llogari të qytetarëve, do të ketë pyetje të këtij lloji “cili është roli i Ombudsmanit.