Fisnik PASHOLLI
Shkup, 6 dhjetor – Në fund të vitit 2018, pritet të merr fund humbja e kohës për pagesën e taksave në autostradën Kumanovë-Gjevgjeli. Vozitësit pritet që pagesën ta kryejnë përmes kartelave elektronike, vetëm duke zvogëluar shpejtësinë dhe pa ndalesa, shkruan gazeta KOHA. Menaxhmenti i ri i “Rrugëve të Maqedonisë”, paralajmëroi se deri në fund të vitit të ardhshëm pritet të përfundon instalimi i sistemit për pagesë elektronike të taksës rrugore përgjatë Korridorit 10. Në ndërkohë, në pikë-pagesat e tjera në Korridorin 8 po ndryshohen kabinat, ndërsa në këtë aks rrugor planifikohet që të vendoset opsioni i pagesës me softver të ri dhe kategorizim të mjeteve transportuese. Kjo do të mundësojë qarkullim më të shpejtë të veturave dhe ndalim minimal në pikë-pagesat e ndryshme. Sistemi i ri elektronik i pagesës me kartelë pripejd përgjatë korridorit 10 do të vendoset gradualisht, ndërsa me rritjen e përdorimit të kartelave do të përjashtohet pagesa me kesh në dorë. Paralajmërohet edhe kategorizimi i mjeteve transportuese përgjatë Korridorit 8 dhe 10, që nënkupton se, furgonët, për shembull, do të paguajnë në varësi prej numrit më të madh apo më të vogël të udhëtarëve që i transportojnë. Gjithashtu paralajmërohen edhe dënime rigoroze për transportuesit, te të cilët do të konstatohen se bartin mall me peshë më të madhe se sa lejohet me ligj. Në ndërkohë, me projektin për pagesën elektronike që duhej të jetë gati deri në fund të vitit 2016, duhej të modernizohen më shumë pikë-pagesa në autostradën Kumanovë- Gjevgjeli. Projekti kushton afër 19 milionë euro dhe financohet me 15 milionë euro nga Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, ndërsa pjesa e mbetur janë të holla buxhetore. Deri tani është ndërtuar vetëm pikë-pagesa në Ramanli, ndërsa të tjerat pritet të finalizohen deri në fund të vitit 2018, për shkak të vonesave administrative në të kaluarën, ndërsa me lëshimin së fundmi të lejeve ndërtimore, pritet të intensifikohet ndërtimi i tyre, thonë nga Ndërmarrja Publike “ Rrugët e Maqedonisë”.
“ Pas lejeve të miratuara punohet intensivisht në pikë-pagesat rrugore Petrovec, Sopot, Otavica dhe Gradsko dhe në varësi prej dinamikës së ndërtimit si dhe procedurave, si pranimi teknik, pritet që për tetë muaj ato të jenë gati. Mund të pritet që projekti të rrumbullakohet deri në fund të vitit të ardhshëm. Nga ana tjetër, pikë-pagesa e ndërtuar në Ramanli, nuk mund të lëshohet në përdorim për shkak se duhet të zgjidhen dy eksproprijime të tokës që janë paraqitur gjatë ndërtimit të saj, ndërsa duhet të ndryshohet edhe softveri i pagesës që të parashikohet opsioni i pagesës në kesh në fazën kalimtare, që nuk është marrë parasysh aspak si opsion gjatë planifikimit të projektit“, thotë për MIA, Zoran Kitanov, drejtori i Ndërmarrjes publike “Rrugët e Maqedonisë”. Sipas tij, do të vendoset pikë pagesë rrugore edhe te dalja për Prilep në afërsi të rrugës Negotinë-Kavadar. Planifikohen edhe pikë pagesa të reja në autostradën Miladinovci –Shtip dhe Kërçovë-Ohër. Sistemi i ri do bëjë edhe kategorizimin e mjeteve transportuese përgjatë Korridorit 8 dhe 10. Kjo, me fjalë të tjera, nënkupton se në aksin rrugor Shkup-Ohër dhe Kumanovë-Gjevgjeli, furgonët, për shembull, do të paguajnë në varësi prej numrit më të madh apo më të vogël të udhëtarëve që i transportojnë. Si pjesë e aktiviteteve të planifikuara për pengimin e dëmtimit të rrugëve, Kitanov paralajmëron dënime rigoroze për transportuesit te të cilët do të konstatohen se bartin mall me peshë më të madhe se sa lejohet me ligj. “Kemi kryer matje teknike të urave, ku mbi 50 për qind e kamionëve kanë qenë me mbingarkesë, ndërsa pesë kamionë kanë qenë me peshë prej 72 tonë. Në aksion me Ministrinë e Brendshme do të ketë dënime rigoroze në rast të transportimit të mallrave me mbipeshë”, thekson Kitanov. Gjithashtu, me projektin për vlerësimin e rrugëve, për një vit pritet të fitohet një pasqyrë e tërësishme për nivelin e dëmtimit të pjesëve të caktuara të akseve rrugore dhe në bazë të kësaj do të përcaktohen edhe prioritet për rikonstruimin e tyre. Në rrugët nëpër Maqedoni, dy vetura me pajisje të veçantë, do të kryejnë matje deri në një metër e gjysmë në tokë, nga shtresa e tamponuar deri në glazurën e asfaltit. (koha.mk)