Mal Ibraheim Al Hammadi i Sharjah njihet si shoferi që kurrë nuk ka kryer një shkelje të trafikut. Ai e ka marrë patentën në vitin 1975 dhe ka nisur të drejtojë makinën një vit më pas. Sipas mediave të huaja, ai po edukon djemtë e tij, si dhe nipërit për rregullat e trafikut dhe atë që ata duhet të bëjnë kur të ulen pas timonit, duke përfshirë lidhjen e rripit të sigurimit dhe mos përdorimin kurrë të celularit.
Mal kishte punuar në Policinë e Sharjah para se të dilte në pension në vitin 1987 ndërkohë që tani punon si tregtar. “Sjellja e tij e shkëlqyer ka kontribuar në bërjen e rrugëve më të sigurta në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe është një dëshmi për shoferët e sjellshëm në vend”, ka thënë Ahmad Saeed Al Naour, drejtori i përgjithshëm i Operacioneve Qendrore të Policisë së Sharjah.
Ditën e hënë, Policia e Sharjah e nderoi Mal Al Hammadi së bashku me tetë shoferë të tjerë për faktin se asnjëherë nuk kanë marrë një gjobë trafiku që kur ata morën patentën e tyre të shoferit.