Shkup, 24 janar – Nuk ekzistojnë konflikte apo përplasje në Qeveri siç shkruajnë mediat, pohojnë nga Qeveria, pas deklaratave të ndryshme të kryeministrit Zoran Zaev dhe zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane, Bujar Osmani lidhur me Ligjin për gjuhët dhe dërgimin e tij për shqyrtim në Komisionin e Venecies.
“Nuk ekzistojnë konflikte apo përplasje siç shkruajnë mediat. Dje patëm seancë qeveritare në të cilën punët funksionojnë rregullisht. Si i interpreton dikush disa deklarata të caktuara, kjo megjithatë është në korniza të lirisë së të shprehurit. Në çdo rast, puna e Qeverisë si institucion është vijuese dhe nuk kemi kurrfarë problemesh”, theksoi dje zëdhënësi qeveritar Boshnjakovski në pres konferencën e rregullt në Qeveri, transmeton Koha.
As zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska nuk shikon kurrfarë vrimash dhe problemesh në koalicionin qeveritar.
“Maqedonia nuk ka pse të ketë frikë nëse parti të ndryshme kanë qëndrim të ndryshëm siç edhe tek partitë kur njerëz të ndryshëm kanë qëndrime të ndryshme, kjo është pasuri”, theksoi ministrja Shekerinska, duke u përgjigjur në pyetjen nëse ekziston krizë e koalicionit të partive në pushtet.
Lidhur me pyetjen e dygjuhësisë në uniformat e ARM-së, Shekerinska tha se kjo çështje nuk është futur në Ligjin për gjuhët për arsye të cilat kanë të bëjnë me funksionin e Armatës dhe faktin se uniformat paraqesin uniformim.
“Thamë se këtë dispozitë do ta dërgojmë në Komisionin e Venecies dhe presim mendim edhe për Ligjin edhe për këtë përdorim të mundshëm konkret. Është fakt se Armata është një prej institucioneve e cila e ofron kohezionin më të madh. Në pjesën e mbrojtjes ndryshimi kryesor ka të bëjë me mundësinë e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë të cilët drejtohen në Ministrinë e Mbrojtjes të mund ta përdorin edhe gjuhën e tyre amtare, të marrin përgjigje përkatëse. Nuk mendoj se kjo do të reflektohet negativisht, ndërsa Armata është më e fuqishme pasi ajo është përfaqësuese e Maqedonisë dhe për atë që i kemi përfaqësuar të gjitha bashkësitë etnike”, theksoi Shekerinska.
Për këtë temë dje u pyet edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi i cili theksoi se vlerëson se nuk është kundërkushtetues dërgimi i Ligjit në Komisionin e Venecies.
“Procedura për përcaktimin e cilitdo projekti ligjor në komisionin përkatës evropian nuk është në kundërshtim me Kushtetutën”, tha Xhaferi dhe drejtoi nga Qeveria për përgjigje më konkrete pasi kjo nuk është në kompetencë të Kuvendit por është përgjegjësi qeveritare.
Ditëve të kaluara zëvendëskryeministri Bujar Osmani theksoi se në Komisionin e Venecies janë dërguar vetëm disa pjesë të Ligjit, ndërsa më pas pasoi kumtesë prej Qeverisë në të cilën informonte se Ligji ekzistues në tërësi është dorëzuar në këtë Komision për shqyrtim. Kryeministri Zoran Zaev, nga ana tjetër, kërkoi që BDI mos t’ia japë vetes meritat për ligjin dhe se ai është i të gjithëve që kanë votuar për të.