Mbyllet në barazim 1-1 derbi i Anglisë, në “Old Trafford”, mes Manchester United dhe Liverpool, duke bërë që të dy këto skuadra të humbasin terren të mëtejshëm ndaj Chelsea kryesues, që ditën e shtunë fitoi 3-0 ndaj Leicester. James Milner shënoi me penallti në pjesën e parë, golin e avantazhit për Liverpool, ndërsa Manchester United barazoi gjashtë minuta para fundit me anë të Zlatan Ibrahimovic, në ndeshjen më të rëndësishme për javën e 21-të në Premier League. Liverpool e mbylli pjesën e parë në avantazh në “Old Trafford”, pasi në mesin e këtij fraksioni shënoi me penallti. Gjatë një goditje nga këndi për “të kuqtë”, Paul Pogba e preku topin me dorë në zonën e Manchester United dhe gjyqtari akordoi një 11-metërsh, të cilin e shndërroi në gol James Milner. Pavarësisht nga rastet për shënim nga të dyja ekipet, United e mbylli pjesën e parë në disavantazh. Gjashtë minuta para fundit, Manchester United arriti të barazojë me Zlatan Ibrahimovic, i cili shënoi me kokë, pas pasimit të marrë nga Antonio Valencia, pasi më parë topi ishte përplasur në traversë, pas tentativës së Fellaini. Liverpool ndan vendin e dytë të Premier League me pikë të barabarta me Tottenham, shtatë më pak se Chelsea i vendit të parë, ndërsa Manchester United mbetet i gjashti, 12 pikë larg kreut, por ende në kontakt me zonën Champions League.