Piloti italian Valentino Rossi ka rinovuar kontratën me motorin Jamaha edhe për dy sezone të tjera, çka do të thotë se do të garojë deri në moshën 41-vjeçare. “Nga ana fizike nuk ka për të qenë e lehtë për mua të vazhdoj edhe për dy sezone të tjera, pasi duhet të stërvitem më shumë se të tjerët për të qenë gati. Unë nuk do të garoj për t’u treguar të tjerëve se kush jam, por për t’i thënë vetes se jam një ndër më të mirët dhe se kjo është rruga e duhur, pasi e dua këtë sport”, u shpreh Valentino Rossi. Në garën e parë sezonale në Katar, ai u rendit i treti, një rezultat i mirë për një pilot që ka nisur karrierën në vitin 1996, plot 22 vite më parë, duke qenë ende një nga më të shpejtët në pistë. “Dy vite më parë, kur firmosa kontratën e parafundit, mendova se ishte hera e fundit për mua. Isha pak i trishtuar, por ja qe shoh se kam dëshirë të vazhdoj ende. Jamaha më dha të gjithë kohën e nevojshme për t’u menduar pasi përfundoi sezoni i kaluar dhe nuk mund të përgjigjesha negativisht. Kur bëhet fjalë për të treguar grintën në pistë gjatë garës jam po aq i vendosur sa edhe rivalët”, tha Rossi, që për sa i përket rivalitetit në Botërorin 2018 në Moto GP, shtoi: “Këtë vit do të jetë më e vështirë për të gjithë, do të ketë më shumë rivalitet, kjo është e sigurt. Mendoj se janë të paktën 10 pilotë që mund të fitojnë garën”.