Edhe pse fitoi me rezultat të pastër Gattuso përsëri nuk është i lumtur me paraqitjen e ekipit. Milan ka shënuar fitore 3:0 në ‘San Siro’ në ndeshjen hapëse të javës së 25-të të Serie A. Me këtë fitore, Milan forcon pozitën e katërt, duke dhënë sinjal të mirë se është në rrugën e duhur për t’u rikthyer në Ligën e Kampionëve.
“Tre pikët nuk ishin të sigurta, Bakayoko dhe Paqueta nuk duhej të luanin, por kanë shtrënguar dhëmbët”, u shpreh Gattuso. “Interpretimi i ndeshjes në pjesën e parë nuk më ka pëlqyer aspak. Qarkullonim topin, por nuk i shkaktonim asnjë problem Empolit. Jam zemëruar shumë. Në pjesën e dytë kemi filluar të lëvizim më shumë. Mund të them se pjesën e parë e kemi luajtur me frena dore. Ne duhet të tregohemi të aftë të përfshijmë edhe publikun në ndeshje”, deklaroi trajneri i Milanit.