Horge Valdano, ish-sulmuesi madhështor i Argjentinës dhe sot drejtues te Reali i Madridit, në një intervistë për gjermanen “Spiegel”, ka treguar shumë prapaskena të lidhjes së tij me tashmë të ndjerin Diego Armando Maradona, si dhe episodin e pavdekshëm historik të “Dorës së Zotit”, golin që shtriu dhe ende sot e kësaj dite nervozon anglezët, pas ngjarjeve të Botërorit 1986, të cilin do ta fitonte pikërisht Argjentina.
“Mos mendoni se ai gol me dorë ishte i improvizuar. Nuk ishte hera e parë që Maradona shënonte në atë mënyrë.
Gjatë stërvitjeve, kur provonim goditjet nga këndi, Diego kërkonte topin dhe e godiste me dorën ngjitur me kokën. Ai festonte, ndërsa ne grindeshim me njëri-tjetrin: ‘Çfarë ndodhi! Ej e patë, e shënoi me dorë’.
Ndërkohë Diego vazhdonte të festonte dhe vazhdonte që ta kërkonte dhe ta provonte pa pushim atë gol. Ndaj, kur e pashë që e bëri edhe në fushë, në ndeshjen e jetës për ne nuk u surprizova aspak. Diego e kishte përgatitur ‘Dorën e Zotit’ specifikisht për të tërbuar anglezët”, zbuloi Horge Valdano.