Thomas Strakosha ishte padiskutim heroi i Shiqërisë në fitoren 1-0 ndaj Izraelit me pritjet e tij vendimtare. Portieri i Lazios gjithsesi nuk i mban meritat për vete ndërsa në Supersport shpjegoi edhe momentin me Zahavin në të cilin mund të kishte shkaktuar penallti.
“Kam akoma shumë për të kaluar babain. Jam i lumtur për skuadrën. bëmë mirë deri në minutën e 80 më pas u ndje lodhja. I treguam vlerat, pas disa ndeshjeve që nuk kishim bërë mirë. Nuk shoh ritmin, por e shoh në mënyrë kolektive. Vrapuam shumë dhe luftuam shumë ndaj arritëm të fitonim. Ishim të përqendruar dhe kur gabonte njëri rikuperonte tjetri.Rasti më i rrezikshëm? Në fillim mendova se mund të shkaktoja 11-metërsh, por shyqyr që godita topin”.”Gabimet ndodhin në ndeshje, nuk ndahen gabimet, ashtu si nuk ndahen meritat. Jemi një skuadër, nuk ka rëndësi kush gabon. Për fat, kur Zahavi doli i vetëm dhe më shmangu, nuk gjuajti direkt dhe pata kohë të rikuperoja, duke i hequr topin, edhe pse rrezikova pak, sepse mund të shkaktoja penallti”.