Skuadra e Golden State Warriors u mund 121-116 nga Clippers pas kohën shtesë në ndeshjen e luajtur sot në Los Anxhelos. Ekipi kampion kishte një shans për ta fituar ndeshjen, pasi basketbollistët miq morën rebound nga tabela e tyre, kur kishte edhe 5 sekonda lojë nga koha e rregullt.
Atë rebound e mori Draymond Green, që eci përpara me top drejt gjysmëfushës kundërshtare, ndërkohë që pranë tij, i pambuluar ishte Kevin Durant që i kërkonte topin. Por Green nuk ia pasoi dhe e humbi topin kur kaloi në zonën e rivalëve, duke bërë që ndeshja të shkojë në shtesë.
Ky moment ka acaruar mjaft Durant, që në momentin e pushimit ka debatuar ashpër me Green. Kjo skenë është kapur nga kamerat amatore dhe duket qartë që dy basketbollistët e Warriors debatojnë me duar e fjalë. Koha shtesë ka qenë fatale për Golden State, që pësoi humbjen e tretë sezonale.