Viti 2018 është mbyllur mjaft mirë për Rei Manajn, me një seri ndeshjesh ku ai ka gjetur rrugën e rrjetës dhe me paraqitje që kanë afruar Albaceten me kreun e klasifikimit në La Liga2. Sulmuesi shpreson që në këtë mënyrë të vazhdojë edhe viti 2019, me atë në rolin e protagonistit, mundësisht që në ndeshjen e parë, ndaj ish-skuadrës së tij, Granadës, për të cilën mendon se nuk i ka dhënë shanset që meritonte në sezonin e kaluar.
“Kjo është një ndeshje si të tjerat, e rëndësishme është që të bëjmë mirë dhe të vazhdojnë serinë pozitive me të cilën mbyllëm vitin. Do të jetë një ndeshje normale, nuk ka asgjë të veçantë pasi është java e 20 dhe ka 20 të tjera deri në fund. Nuk është një ndeshje që vendos gjërat”, tha ai për sfidën që sheh të përballen dy vendet e para në klasifikimin e La Liga 2.
“Unë kam shokë atje, por nuk është se do të lodhem shumë duke menduar se kam luajtur atje një vit më parë. Ky është futbolli, për mua është njëlloj si të luaj me Granadan, ashtu edhe me Saragozën. Të gjithë duam të jemi kryesues pas kësaj ndeshje, por ata kanë një ekip të madh. Jemi të qetë, pasi po stërvitemi mirë, nuk kemi pse të flasim këtu, por në fushën e lojës. Ata kanë lojtarë të mire, por nuk kam frikë askënd. A do festoj nëse shënoj? Nuk e di.
Te Granada unë isha i huazuar nga Interi dhe mendoj se më kanë dhënë më pak mundësi sesa meritoja. Në 20 ndeshje shënova 1 gol dhe për këtë mbaj përgjegjësi unë. Por vazhdoj të mendoj se nuk më dhanë shanset që meritoja. Gjërat nuk ecën si këtu. Këtu kam të dhëna më të mira, 6 gola në 13 ndeshje nuk janë keq. I kam vënë një objektiv vetes për numrin e golave, por e mbaj për vete”, theksoi lojtari shqiptar i cili ka folur edhe për dëshirën tjetër që ka, atë me kombëtaren shqiptare, kualifikimin në Europian.
“Tani kemi kualifikueset për Euro 2020. Kemi një grup të vështirë me Francën, Turqinë e Islandën. Janë tre ekipe të cilat sipas meje mund të të mposhtin. Ndaj duhet të bëjmë një kualifikuese të mirë që të arrijmë kualifikimin e dytë në historinë e Shqipërisë”, deklaroi Manaj.