Krerët e Paris Saint-Germainit (PSG) kanë thënë se nuk janë të brengosur nga hetimi i nisur nga Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) lidhur me një mundësi për shkelje të rregullit financiar fair-play. PSG është vënë nën hetim nga UEFA lidhur me një shkelje të mundshme të rregullit fair-play, dyshimet për të cilën i ka shprehur edhe kreu i ligës spanjolle të futbollit, La Liga, Javier Tebas, i cili tha së fundmi se “me blerjen e Neymarit për 222 milionë euro, PSG ka dalë nga korniza e fair-playt”. Zyrtarët e klubit francez janë të bindur se veprimtaria e tyre është e ligjshme. “Klubi nuk ka asgjë për të fshehur, UEFA mund të vizitojë zyrat tona, ne jemi maksimalisht transparentë dhe themi me kënaqësi të madhe, respektojmë të gjitha rregullat. Nëse disa klube janë të pakënaqura me këtë, atëherë ky nuk është problemi ynë, nuk dua të hyj në detajet e fair playt dhe se si do t’i kthejmë paratë”, tha njeriu i parë i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi. Francezët e PSG-së, verën e sivjetshme sollën në radhët e veta Neymarin, i cili mbërriti nga Barcelona për një shumë rekorde prej 222 milionë euro.