Milan Shkrinjar ndoshta do të kishte dashur që të fitonte dhe sigurisht që ai e di mirë se lufta për zonën Champions do të jetë shumë e ashpër deri në minutën e fundit të këtij kampionati.
Mbrojtësi sllovak nuk ka nguruar që ta marrë me sportivitet barazimin me Atalantën dhe të bëjë edhe pak ironi në distancë me “kushërinjtë” e Milanit, duke qenë se nga dje bergamaskët janë ngjitur në kuotën e 52 pikëve, po aq sa kuqezinjtë, që ndihen gjithmonë e më të kërcënuar nga ndjekëset e zonës Champions.
“Nuk mendoj se barazimi ishte rezultati i drejtë i kësaj sfide, sepse ne krijuam më shumë raste sesa Atalanta. Për më shumë luanim në shtëpinë tonë, duhet të kishim fituar, por fatkeqësisht nuk ia dolëm, pavarësisht edhe mbështetjes së madhe të tifozëve tanë. Ishte një ndeshje shumë fizike, por e rëndësishme ishte që u rikthyem të mos pësojmë.
Zona Champions shumë e nxehtë? Sigurisht, tabela e tregon qartë këtë, por të paktën ne kemi 5 pikë avantazh kundrejt Milanit apo edhe Atalantës, por edhe më shumë ndaj pretendenteve të tjera që do të luftojnë për vendin e katërt.
Për momentin jemi në një situatë komode, por nga java e ardhshme kundër Frozinones duhet të kthehemi që të fitojmë, përndryshe do t’ia bëjmë shumë të vështira gjërat vetes, pasi ka ende 7 ndeshje deri në fund të kampionatit. Do të jetë një udhëtim i gjatë, i lodhshëm dhe i rrezikshëm”, përfundoi 24-vjeçari i Interit.