Shkup, 18 shtator – Pas startit me dy barazime kur më shumë vëmendja ishte në paraqitjet evropiane, kuqezinjtë në të kthyer përqendrimin drejt skenës vendore kanë radhitur katër fitore të njëpasnjëshme, prej të cilave tre në kampionat dhe një në Kupë. Triumfi i fundit 6:2 të dielën kundër Rabotniçkit ishte bindshëm paraqitja më e mirë e skuadrës në sezonin e ri dhe futbollistët besojnë se ajo performancë duhet të jetë model për të ardhmen.
“Të shënon gjashtë gola në një ndeshje kundër një skuadre si Rabotniçki që në Tetovë vinte si lider i renditjes, sigurisht se nuk është aspak punë e vogël. Duke përjashtuar fillimin e ndeshjes dhe një periudhë të fraksionit të dytë, ne performuam shumë mirë duke realizuar kërkesat e stafit teknik për lojë kombinatorike me shumë pasime. Krijuam shumë shanse dhe shënuam gjashtë gola, duke realizuar paralel planin të marrim tre pikët dhe të kënaqim publikun”, shprehet mesfushori strugan, Besmir Bojku, i cili luan në formë shumë të mirë në këtë fillim sezoni, duke arritur mes tjerash të shënojë dy gola në pesë takime të luajtura (realizoi kundër Vardarit dhe Rabotniçkit). Futbollisti 23 vjeçar nw fund pranoi se në skuadër nuk ndjehet kurrfarë euforie dhe tashmë vëmendja është kthyer kah sfida e radhës të mërkurën në Tetovë kundër Kit Go në 1/8 e finales së Kupës.