Shkup, 24 tetor – Tani nuk është koha për përplasje dhe poena politik, thotë kryetari i Komisionit kuvendor për Shëndetësi njëkohësisht edhe deputet nga radhët e BDI-së, Arben Ziberi. Ai shton se masat propozohen mbi bazë të zhvillimit të situatës në terren, zgjidhjet propozohen nga ana e ekspertëve shëndetësorë, epidemiologëve dhe virologëve, profesionistëve të cilët kujdesen për interesin e qytetarëve.
“Kur bëhet fjalë për shëndetin publik unë mendoj se partitë politike duhet ta lënë anash politikën, në të mirën e shëndetit publik, për të mirën e të gjithë qytetarëve, pasi po shohim çdo ditë rritje e të infektuarve me Covid 19. Çdo ditë kërkojnë ndihmë nga spitalet. Ju kisha bërë thirrje partive politike ta lënë anash interesin politik”, u shpreh Arben Ziberi nga BDI.
Nga LSDM-ja akuzojnë se opozita e bllokon sjelljen e Ligjit për Mbrojtje të Popullsisë nga Sëmundje Ngjitëse.
“Partia opozitare VMRO-DPMNE e zvarrit dhe bllokon sjelljen e ndryshimeve të Ligjit për Mbrojtje të Popullsisë nga Sëmundje Ngjitëse, me të cilat qytetarët do të kenë mbrojtje më të madhe nga Covid-19. Duke i bllokuar masat, të cilat janë të njëjta apo të ngjashme si në shumicën e vendeve evropiane, Hristijan Mickoski dhe VMRO-DPMNE-ja e rrezikojnë shëndetin e të gjithë qytetarëve”, thonë nga LSDM.
Nga VMRO-DPMNE-ja distancohen se e bllokojnë ligjin në fjalë. Shtojnë se kërkojnë Komision të ri për Shëndetësi, i cili do të jetë profesional.
“Dua t’i informoj qytetarët se në këtë ligj fare nuk është përmendur ndonjë masë. Në ligjin që është dorëzuar në Kuvend, mbi 95% ka të bëjë me atë se cili inspektorat të shqiptojë dënime. Domethënë, në ligjin për momentin vetëm autorizohen inspektoratet që të shqiptojnë gjoba”, theksoi Vllado Misajllovski nga VMRO-DPMNE.
Ndryshimet e Ligjit janë propozuar që të sillen masa të reja që i propozon Komisioni për Sëmundje Ngjitëse me qëllim që të parandalohet përhapja e koronavirusit mes popullatës. Masat e reja parashohin mbajtje e detyrueshme e maskave dhe pajisjeve mbrojtëse në gojë dhe hundë në ambiente të hapura, në ambiente të mbyllura, në objekte publike, në vendin e punës dhe në transportin publik, me disa përjashtime. Maska nuk është e detyrueshme kur bëni sport në të hapur dhe në të mbyllur, por duke i respektuar protokollet për mbrojtje, kur udhëtoni me makinë private me njerëz që janë nga familja e njëjtë apo jetojnë në shtëpi të njëjtë, në objektet hotelierike duke i respektuar protokollet për distancë dhe dezinfektim, kur qëndroni vetëm në zyrë, si dhe për fëmijët deri në 6 vjet.
Masa tjetër është ndalimi i grupimit nëpër shtëpi për festime familjare dhe tubime të tjera në grupe, ku propozohet që në një banesë apo shtëpi të mund të vijnë më së shumti 4 veta. Është propozuar të ndalohet grupimi i më shumë se 4 personave në hapësira publike pas orës 22, respektivisht të ndalohet tubimi nëpër parqe, zona publike ose gjithkund në të hapur.