Shkup, 12 dhjetor – Në shumicën e familjeve në Maqedoni ka dallimet drastike mes madhësisë së hapësirës së jetesës dhe hapësirës e cila nxehet gjatë periudhës së dimrit. Hulumtimet tregojnë se sipërfaqja mesatare e vendbanimit në vend është 82,87 metra katrorë, ndërsa sipërfaqja mesatare që ngrohet është 37,41 metra katrorë. Raporti i projektit “Varfëria e energjisë në Evropën Juglindore: duke i mbijetuar të ftohtit”, tregon se kësi lloj tendencash ka në vendet e Ballkanit. Në raport thuhet se është dëshmuar se jeta në varfëri energjetike ka efekte negative ndaj shëndetit të njeriut. “Edhe pse shumë moti është vërtetuar rritja e vazhdueshme e shpenzimeve të energjisë elektrike i shtyn amvisëritë në varfëri, sidomos kur ajo është e kombinuar me kushte joefikase për jetesë, pajisje të vjetra në shtëpi dhe të ardhura të ulëta, deri më tani ka patur vetëm përpjekje të kufizuara të implementohen mekanizmat sistemike për mbrojtjen e konsumatorëve të rrezikuar në Evropën Juglindore”, shkruan në raport. Aty theksohet se amvisëritë më të mëdha janë të detyruara të zgjedhin mes ushqimit dhe shërbimeve themelore të energjisë. Dhe si rezultat i kësaj, amvisëritë shpesh janë të detyruara të jetojnë në kushte joadekuate dhe të shfrytëzojnë lëndë djegëse alternative. “Zakonisht kalimi është shfrytëzimi i biomasës (ngrohja me dru), e cila edhe pse është varijant më e lirë, tashmë paraqet kërcënim serioz për pyjet rajonale për shkak të mekanizmave të dobëta në kontrollin e prerjes si dhe prerjen joligjore dhe shitjen e drurit për ngrohje. Paaftësia e qeverive ta adresojnë varfërinë energjetike në Evropën Juglindore ka rritur rrezikun e pyjeve, sepse prerja joligjore nga konsumatorët e rrezikuar llogaritet si opsion i vetëm për mbijetesë në ditët e ftohta”… (më gjerësisht në numrin e nesërm të gazetës KOHA)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.