Shkup, 5 prill – Mbi 46 për qind e maqedonasve thonë se Platforma e shqiptarëve prek integritetin dhe sovranitetin e Maqedonisë, ndërsa e njëjta përzihet në punët e brendshme të shtetit. Kështu tregon anketa më e re e realizuar nga instituti TEAM dhe e mbështetur nga USAID-i dhe Instituti Nacional Demokratik (NDI), sipas të cilës, 46.0 janë përgjigjur me “pajtohem” në pyetjen: “Platforma shqiptare është interferencë e huaj në punët e brendshme të shtetit dhe rrezikon sovranitetin e Maqedonisë?”. 19.4 për qind e maqedonasve janë shprehur se “nuk pajtohem”, 18.1 për qind nuk janë shprehur, derisa 16.6 për qind as nuk pajtohen dhe as pajtohen. Tek shqiptarët, 67.2 për qind “nuk pajtohen” se Platforma shqiptare rrezikon sovranitetin e shtetit, ndërsa 19.7 për qind nuk janë përgjigjur. Megjithatë, interesante janë përgjigjet për Platformën shqiptare të firmosur nga tre partitë shqiptare – BDI, BESA dhe Aleanca për shqiptarët. Në pyetjen: “A e keni lexuar Platformën e partive shqiptare?”, 81.2 për qind e maqedonasve janë shprehur me “JO”, ndërsa me “PO” janë shprehur 18.8. (koha.mk)