Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, duke theksuar se i vjen keq që disa nga homologët e tij nga Organizata për Bashkëpunim Islamik (OBI) nuk morën pjesë në takimin e OBI-t të mbajtur në Xhide për Palestinën, tha se ai është i vetëdijshëm pse disa anëtarë nuk morën pjesë në këtë takim.
Ministri Çavuşoğlu, ka mbajtur një fjalim në takimin e jashtëzakonshëm të Komitetit Ekzekutiv me pjesëmarrje të hapur me temën “shkeljet e Izraelit në Kuds”, që zhvillohet nga OBI në qytetin Xhide të Arabisë Saudite.
Çështja palestineze po përballet me sfida komplekse dhe statusi ligjor dhe historik i Kudsit është nën kërcënim, theksoi në fjalën tij Çavuşoğlu.
“Përhapja e vendbanimeve të paligjshme në territoret palestineze, duke përfshirë Kudsin dhe Bregun Perëndimor vazhdon. Ky është një hap i vetëdijshëm për të minuar zgjidhjen me dy shtete”, tha kryediplomati turk duke bërë të ditur se Izraeli po ashpërsohet edhe më shumë në terren, ku ai përpiqet të rishkruajë historinë dhe të ndërmarrë hapa për të shkatërruar trashëgiminë islame të qytetit, natyrën dhe demografinë e tij.
Pasi ka bërë të ditur se disa politikanë izraelitë duan të bëjnë shtesa ndaj vendbanimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor, Çavuşoğlu, tha se “Qeveria izraelite po përpiqet të shkatërrojë natyrën e qytetit të vjetër të Kudsit duke rritur vendbanimet dhe gërmimet. Në të njëjtën kohë po përpiqet të shkatërrojë karakterin dhe trashëgiminë islame të qytetit dhe po ndryshon demografike për të siguruar dominimin hebre”.
Si anëtarë të OBI-t e kanë përsëritur shumë herë se Kudsi është vija e kuqe, theksoi Çavuşoğlu, i cili ka rikujtuar më tej se në takimin e 14-të të OBI-t që u mbajt para një muaji në Mekë kanë marrë vendime në lidhjen me Palestinën dhe Kudsin. “Kemi përsëritur angazhimin tonë për arsyet e drejta të popullit palestinez, që është edhe arsyeja kryesore për krijimin e kësaj organizate”, shtoi ministri turk.
“Palestina dhe Kudsi do të vazhdojnë të qëndrojnë në qendër të OBI-t. Duhet të jemi të vendosur në përpjekjet tona për të mbrojtur dhe mbështetur statusin e kibles tonë të parë. Kjo është përgjegjësi që ne e kemi përballë ummetit tonë dhe historisë”, theksoi Çavuşoğlu.
Ai ëshë shprehur më tej se “Është për të ardhur keq që sot këtu shihet se shumica e homologëve tanë nuk ndodhen këtu. Unë gjithashtu jam i vetëdijshëm pse disa anëtarë nuk morën pjesë në këtë takim. Unë e di se SHBA-të dhe disa vende, madje edhe Izraeli, u bëjnë presion disa shteteve anëtare, por ne kurrë nuk duhet t’i lejojmë ata që të marrin peng kauzën tonë të përbashkët. Ky është mesazhi im për shumë kryeqytete”.
Në anën tjetër Çavuşoğlu ka vënë në dukje rëndësinë e të vepruarit së bashku, ku ai ka theksuar se “Provë e kësaj janë përpjekjet tona të përbashkëta gjatë Presidencës tonë që kanë bërë jehonë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ne duhet të punojmë më shumë për ta bërë shtetin palestinez më të njohur. Për të mbrojtur identitetin musliman të Kudsit, ne duhet të mbështesim vëllezërit tanë palestinezë që i rezistojnë pushtimit”.
Çavuşoğlu, e përfundoi fjalimin e tij duke përsëritur angazhimin e Turqisë që populli i Palestinës të sigurojë shtetin e tij sovran dhe të pavarur me kryeqytet Kudsin Lindorë dhe të bazuar në kufijtë e vitit 1967.