Konform verdiktit të sovranit, duhet që detyrimisht shqiptarët të kenë opsion opozitar, ndërsa unë personalisht mund të them se nëse gjitha partitë shqiptare duan të bëhen pjesë e Qeverisë, me bindje të plotë do të kisha lobuar brenda subjektit politik ku edhe veproj, Lëvizjes BESA, që edhe përkundër faktit se jemi fitues dhe që siguruam mandatin e koalicionit “MUNDEMI”, të shqyrtohet mundësia që me deputetët tonë të kalojmë në opozitë dhe mos të lejojmë që shqiptarët të mbeten pa opozitë në vend
Nga Arjanit HOXHA
Para disa ditëve u bë konstituimi i Kuvendit republikan, ku deputetët e zgjedhur nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare edhe zyrtarisht filluan punën e tyre. Ashtu si edhe pritej, seanca e parë ishte vetëm për të përfunduar formalitetin e verifikimit të mandateve pas përfundimit të së cilët vijuan edhe deklaratat politike, të cilat dorën në zemër – më shumë shërbyen për të ndërtuar pozicione negociuese të palëve sesa për të filluar njëmend procesin e negociatave që për hir të së vërtetës, duhet të jenë pa kalkulime, të shpejta dhe konkrete, pasi në kushtet e pandemisë globale dhe pasojave që ka shkaktuar kjo pandemi në aspektin ekonomik, shtetit i duhet sa më shpejt formimi i një Qeverie stabile, me mandat të plotë në kuptimin e jetëgjatësisë.
Normalisht që prioritet kryesor i Qeverisë së re mbi të gjitha do të jetë sfida për t’u ballafaquar me pandeminë COVID-19 dhe pasojat – qoftë shëndetësore apo ekonomike nga kjo pandemi, por njëkohësisht ajo që pritet nga Qeveria e ardhshme është edhe përkushtimi në reformat që kërkohen nga Bashkimi Evropian, me theks të veçantë reformat në gjyqësor. Pa një reformim të mirëfilltë të gjyqësorit dhe pa një përkushtim të veçantë në vendosjen e themeleve të shëndosha që do garantojë drejtësinë, shtetin e së drejtës, gjyqësinë joselektive, gjyqësorin e departizuar dhe vendosjen e sistemit të profesionalizmit, Maqedonia e Veriut jo vetëm që nuk mund të shkojë përpara në procesin euro-integrues, por rrezikon që në një periudhe afatmesme – të shndërrohet në oazë të krimit, korrupsionit dhe të shërbejë si “çerdhe” për të grumbulluar të gjitha mbetjet e kriminalizuara nga shumë shtete, të cilat janë edhe në interes të qarqeve anti-NATO.
Prandaj, gjyqësori, kjo hallkë e fundit që ka mbetur me ndikim të madh nga ish regjimi i Gruevskit, por edhe nga një trashëgimi e ish sistemit të Jugosllavisë, detyrimisht do duhet të reformohet dhe të orientohet drejt vlerave evropiane që garantojnë barazinë, lirinë dhe drejtësinë për të gjithë në formë dhe mënyrë të barabartë. Po ashtu, jo më pak të rëndësishme do të jenë edhe reformat në arsim, që besa thënë drejt – ne si shqiptarë kemi nevojë dhe interes të veçantë për të adaptuar sistemin arsimor unik me shtetet e BE-së, duke profesionalizuar atë dhe duke punuar me strategji afatgjate për të gjeneruar dhe ndërtuar kuadro që do të kenë kohezion gjeneratash.
Edhe sektorët e tjerë si shëndetësia, kujdesi social, kultura etj., do të jenë sfida, barrën e të cilave do duhet ti merr mbi vete Qeveria e ardhshme. Prandaj, është e rëndësishme që përbërja e re qeveritare, të ketë synim përmbylljen e një mandati të plotë katër vjeçar, dhe për të qenë e tillë – duhet të jetë Qeveri stabile, por njëkohësisht e monitoruar nga një opozitë po aq e përkushtuar në reformat që do duhet detyrimisht të realizohen, pavarësisht se sa “të dhimbshme” mund të jenë për partitë politike që do të marrin përgjegjësi në Qeveri. Ata që e kam shkruar edhe në një nga kolumnat e kaluara, se partitë politike në Qeveri duhet të jenë të gatshme të sakrifikojnë edhe rejtingun partiak në shërbim të ngritjes të rejtingut të shtetit. Në gjithë këtë situatë politike të reflektuar përmes numrave të deputetëve në Kuvendin e shtetit, ka një mirësi, dhe kjo është diferenca e ngushtë mes blloqeve politike, gjë që obligon fituesit, respektivisht ata që do formojnë Qeverinë e re, të jenë edhe të përkushtuar, por edhe të përgjegjshëm ndaj detyrave që e presin këtë qeveri, por në të njëjtën kohë edhe partitë që do të mbeten në opozitë – me një numër të konsiderueshëm deputetësh, do të jenë monitorues dhe korrektor i politikave eventualisht të gabuara që mund të bëjë qeveria.
Duke i pasur parasysh këto fakte të lartpërmendura, dëshiroj që të shpreh një shqetësim që ditëve të fundit po plasohet në disa qarqe se gjoja, qenka e dobishme që gjitha partitë shqiptare të bëhen pjesë e Qeverisë së re, në emër të reformave që na presin, gjë që është jo vetëm e gabueshme, por edhe e rrezikshme, madje do ta quaja të dëmshme për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Këtë e them nga fakti se lënia e shqiptarëve pa një opozitë, mbas gjithë këtyre viteve – qoftë të tranzicionit politik apo edhe të kohës së pas luftës së 2001-shit, do të humbte edhe kuptimin e garës politike në zgjedhje, dhe jo vetëm, por do krijonte një trup votues, i cili do humbte idealin dhe kauzën, si dhe do shndërrohej në një betejë permanente vetëm për pushtet, gjë që do humbte edhe vlerat e politikës, por edhe kuptimin e betejës që votuesit të kenë mundësi të zgjedhin së paku mes dy-tre opsioneve politike.
Prandaj, konform verdiktit të sovranit, duhet që detyrimisht shqiptarët të kenë opsion opozitar, ndërsa unë personalisht mund të them se nëse gjitha partitë shqiptare duan të bëhen pjesë e Qeverisë, me bindje të plotë do të kisha lobuar brenda subjektit politik ku edhe veproj, Lëvizjes BESA, që edhe përkundër faktit se jemi fitues dhe që siguruam mandatin e koalicionit “MUNDEMI”, të shqyrtohet mundësia që me deputetët tonë të kalojmë në opozitë dhe mos të lejojmë që shqiptarët të mbeten pa opozitë në vend. Arsyetimit se pjesëmarrja e çdo partie shqiptare në Qeveri duhet të jetë për të siguruar procesin e reformave, janë të pa baza, dhe këtë mund ta argumentoj me faktin se Lëvizja BESA si parti, e cila katër vite ishte zëri i vetëm opozitar në Kuvend, i përkrahu pa rezervë të gjitha reformat, madje arriti që në ndryshime kushtetuese të nxjerr edhe përfitim për përforcimin e pozitës së shqiptarëve në vend, sidomos përmes kompromisit që në letërnjoftimet e qytetarëve shqiptarë të shkruhet edhe përkatësia etnike, dhe gjithë kjo u rrumbullakësua edhe me anëtarësimin e vendit në NATO. E kjo është dëshmia më e fuqishme se shqiptarët kanë nevojë për opozitë, madje për një opozitë të fuqishme, e cila mund të kontribuojë në reformat që na presin si shtet për të hapëruar në rrugën e anëtarësimit për në Bashkimin Evropian.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)