Ish-trajneri i Manchester United dhe Real Madridit, Jose Mourinho, kanë marrë një ofertë britanike për t’u kthyer në drejtim. Bëhet fjalë për ofertën e Celtic, sipas Chris Sutton. Portugezi ka qenë pushim që prej largimit nga “Old Trafford”, në dhjetor 2018. Skuadra të ndryshme janë diskutuar si puna e tij e ardhshme, me 56-vjeçarin që ka konfirmuar rikthimin në një klub tjetër këtë verë.
Një ofertë e bërë nga kampionët e Celtic për “Special One” ka ngjallur shumë spekulime. Neil Lennon është duke shijuar fundin e një sezoni me sukses të trefishtë në Skoci, por mbetet për t’u parë nëse ai do të vazhdojë në “Celtic Park” edhe sezonin 2019-2020. Bardhëjeshilët padyshim po eksplorojnë opsione të tjera, me Sutton që pretendon se posti i trajnerit i është afruar Mourinhos. Ish-sulmuesi i Celtic i tha “BT Sport”, kur u pyet se cilin do të donte në krye të skuadrës së zemrës:
“Massimiliano Allegri nga Juventusi, por nuk do të ndodhë. Është shumë e vështirë të them se cili do të jetë trajneri i ardhshëm i Celtic, sepse ka pritshmëri të mëdha. Do të ketë shumë emra për këtë pozicion. Jose Mourinho ishte i lidhur me Celtic dhe unë jam i sigurt se ka pasur diçka në këtë në drejtim. Pra, ka pasur një ofertë për të. A do të pranojë të drejtojë Celtic? Këtë nuk jam në gjendje ta them. Nuk i di kushtet e sakta, por ka pasur një ofertë”.