Omer XHAFERI
Shkup, 8 gusht – Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) siguron se nuk do të ndërtohen banesa dhe kampe për refugjatët, nuk do të jepen shtetësi, e as madje do të aktivizohen disa masa të tjera në këtë drejtim. Çdo informatë në drejtim të ndryshëm, theksojnë nga MPPS-ja, është gënjeshtër, e pasaktë dhe e pavërtetë, shkruan gazeta KOHA. Nga Ministria njoftojnë se Maqedonia është shtet i cili është stacion transit i refugjatëve, dhe në të kaluarën, dhe në krizën e refugjatëve nga viti 2015/16. Si vend anëtar i Kombeve të Bashkuara, qëndron në kumtesë, vendi ynë do t’u ndihmojë refugjatëve në rrugën e tyre drejt destinacioneve të fundit, në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare dhe Konventës së ratifikuar për të drejtat e refugjatëve nga viti 1994. Sqarimi i MPPS-së ka ardhur pas akuzave të opozitës maqedonase se, Strategjia për refugjatët që po përgatitet nga Qeveria e re parasheh vend-strehim për emigrantët nga Lindja dhe Afrika, ndërsa kanë akuzuar se edhe shtetësi do të përfitojnë pas qëndrimit disa vjeçar në Maqedoni. “‘Propozim-Strategjia për integrim të refugjatëve dhe të huajve 2017-20207’ është vazhdim i një strategjie të njëjtë të këtillë për periudhën 2009-2015, të miratuar nga Qeveria paraprake e VMRO-DPMNE-së. Dokumenti nuk ka kurrfarë ndikimi obligues dhe ata të cilët në të kaluarën e kanë nënshkruar këtë strategji, e dinë këtë fakt”, përgjigjen nga MPPS-ja, ndërsa i dënojnë dezinformatat dhe përhapjen dedikuese të frikës dhe ksenofobisë tek qytetarët.
8000 EMIGRANTË ME DOKUMENTE FALSE
Megjithatë, ka disa ditë që, përveç debateve publike me organizatat qytetare, çështja e Strategjisë për refugjatët po diskutohet edhe në Parlament. Dje, Komisioni parlamentar për punë dhe politikë sociale mbajti vazhdimin e dytë të debatit publik për propozim-projektet e Strategjisë për integrim të refugjatëve dhe të huajve dhe të Planit aksional kombëtar për integrim të refugjatëve për periudhën 2017/2027. Drejtori i Agjencisë për Zbulim, Zoran Ivanov, theksoi para deputetëve se deri më tani, Maqedonia me sukses është ballafaquar me krizën e emigrantëve, për shkak të parimit të pranimit të emigrantëve, transit dhe dalje të tyre. Duke transmetuar përvoja të shërbimeve partnere të Agjencisë për Zbulim në shtetet e tjera, Ivanov theksoi se integrimi i emigrantëve nuk kalon pa kanosje dhe rreziqe serioze. Si sfidë i potencoi dallimet kulturologjike, mundësitë për krijim të kushteve për getoizim, rreziqet nga terrorizmi… Një pjesë e emigrantëve të cilët vijnë, theksoi Ivanov, për fat të keq, tanimë janë radikalizuar dhe e shfrytëzojnë këtë situatë për lidhje me bashkëkombësit e tyre dhe ata që mendojnë njëjtë. “Sistemi i sigurisë së Maqedonisë është në fazë të miratimit të Strategjisë për parandalim dhe luftë kundër radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm dhe pranimin e emigrantëve që të paraqiste pikë e dobët dhe mundësi për rreziqe të rritura nga ideologji të ndryshme religjioze dhe ekstreme. Përmirësimi i ardhshëm i nevojshëm i bashkëpunimit me shërbimet nga rajoni do të ndihmojë që të sigurohen më shumë informata relevante dhe bartësit e vendimit në mënyrë përkatëse ta krijojnë sistemin e punës”, konsideron Ivanov, ndërsa shtoi se 8000 emigrantë që transituan nëpër Maqedoni në dy vitet e kaluara kanë qenë me dokumente të falsifikuara.
KUJDES EDHE NGA VIRUSET QË I SJELLIN ME VETE EMIGRANTËT
“Kemi sfidë serioze dhe nga futja e sëmundjeve jotipike dhe viruseve që këta njerëz i sjellin me vete nga rajonet prej nga vijnë. Sado që të dëshirojmë të jemi konkret, duhet të pranojmë se efekti i këtillë të themi i ndryshimit demografik dhe të gjithë rreziqeve të sigurisë që na vijnë nga emigrimi ilegal, paraqet sfidë plotësuese negative për interesat shtetërore”, tha Ivanov. Ndryshe, target grupet e Strategjisë, sipas Projekt-versionit të propozimit, janë personat me status të pranuar të refugjatit, persona nën mbrojtje subsidiare, kërkues të azilit, si shfrytëzues të masave për integrim të hershëm, dhe të huaj me qëndrim të rregulluar në Maqedoni me aprovim paraprak nga ana e organeve kompetente. Strategjia e re dhjetëvjeçare, qëndron në tekst, orientohet drejt qëllimeve, përforcimit të sistemit të integrimit përmes masave për ndërtim të kapaciteteve dhe partneriteteve që nxisin pjesëmarrje lokale, komunikim interaktiv, zhvillim të masave të qëndrueshme për integrim të hershëm, realizim të zgjidhjeve të që qëndrueshme dhe afatgjate banesore që promovojnë integrim në shoqëri dhe me të cilët evitohet getoizimi. Është paraparë edhe arritje e qëllimeve arsimore për përforcim të integrimit në shoqëri dhe promovim të punësimit të qëndrueshëm, si dhe sigurim të mundësive për punësim për shkak të përforcimit të pavarësimit të grupit qëllimor dhe evitim të varshmërisë së saj nga mbrojtja sociale. (koha.mk)