Enigmatike është nëse presidenti Gjorge Ivanov do të mbajë fjalimin e rregullt vjetor në Kuvendin e Maqedonisë. Koha nuk është caktuar, ndërsa siç informon në takim me gazetarët kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, nga kabineti i Ivanovit deri tani nuk është dërguar shkresë për përcaktimin e afatit për fjalimin e tij para deputetëve.
Xhaferi thotë se Ivanovi nuk ka detyrim që të mbajë fjalim në Parlament por se kjo është e drejta e tij. Në dhjetor Kuvendi ka planifikuar tre seanca, eventualisht katër deri në pesë, duke përfshirë edhe fjalimin e Ivanovit, nëse kërkon.
Mandati i Ivanovit përfundon më 2 maj të vitit të ardhshëm, ndërsa zgjedhjet presidenciale do të shpallen me siguri në fund të janarit ose në fillim të shkurtit, informon Xhaferi.
Lidhur me Marrëveshjen e Prespës, për të cilën ligji për ratifikim nuk ka nënshkrimin e kryetarit të shtetit dhe nuk është parashtruar në Gazetën Zyrtare, Xhaferi tha se do ta dërgojë pa nënshkrimin e Ivanovit, por nuk saktësoi se kur.