Bujar KURTAJ
Shkup, 20 shtator – Rikthim i menjëhershëm në fushë në javën e gjashtë të Ligës së parë futbollistike të Maqedonisë për KF Renova, që do të luajë sot (e mërkurë) pasdite, ndaj Vardarit pas fitores minimale dhe të parë ndaj Pelisterit. Trajneri Vllatko Kostov në prag të këtij dueli ballafaqohet me shumë probleme pasi nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e katër futbollistëve, Xhelil Abdullait, Burim Sadikit, Lavdrim Skenderit dhe Fatjon Jusufit.
Nga radhët e bardhekaltërve thonë se rolin e favoritit ia lëshojnë nikoqirit Vardarit, e cila do të gostit skuadrën tetovare në stadiumin “Boris Trajkovski” në lagjen Maxhari të Shkupit. Këtë e pohon vetë kapiteni i skuadrës Fisnik Nuhiu. “Normal, skuadra e Vardarit është favorite për tre pikët në këtë ndeshje. Por, ne do të japim maksimumin që eventualisht ti befasojmë. Për të arritur këtë, kemi kualitet dhe pozitive është se dal nga dalë po kthehemi në formë pas atij fillimi të dobët. Pas fitores ndaj Pelisterit lojtarët janë të motivuar dhe kanë shumë të dëshirë që të arrijnë rezultate pozitive edhe në takimet e radhës. Atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe shpresojmë që e njëjta do të mbetet edhe pas ndeshjes me Vardarin”, deklaroi për gazetën KOHA, Nuhiu.
Në anën tjetër, me probleme ballafaqohet edhe trajneri i KF Vardar Çedomir Janevski. Ndaj Renovës ai do të luajë pa Grnqarovin, i cili u ndëshkua me karton të kuq ndaj “Skopjes”, pastaj Brdarovski dhe Novak. Por edhe përkundër kësaj, Nikolla Gligorov beson se ata të cilët do të kenë rast të luajnë do të japin maksimumin dhe do të vijnë deri te fitorja. “Dy ndeshje jemi pa fitore. Nëse disfata nga Zeniti nuk ishte befasi, e njëjta ishte e thellë, atëherë në përballjen me ‘Skopjen’ nuk mendonim dhe planifikonim të fitojmë vetëm një pikë. Prisnim dhe dëshironim tre pikë, por nuk arritëm të vijmë deri te ata. Jo gjithmonë arrihet ajo që ke planifikuar. Por, tani kemi ndeshje tjetër dhe një mundësi e mirë për fitore, për pikë. E respektojmë Renovën, por mendoj se jemi skuadër më kualitative”, tha për faqen e klubit Gligorov.
Shkupi kërkon fitoren e tretë më radhë
Skuadra e Shkupit në dy ndeshjet e fundit ka po aq fitore, ndërsa në Çair do të tentojë përballë ‘Skopjes’ të arrin fitoren e dytë në Çair dhe të tretën me radhë këtë sezon. “Mendoj se ndaj ‘Skopjes’ duhet të fitojmë, jemi në një formë shumë të mirë dhe në të njëjtën kohë kemi shënuar dy fitore, që kanë shtuar dhe motivim edhe të vet ekipi. Padyshim se kjo ndeshje është me shumë përgjegjësi dhe duhet që të qëndrojmë me këmbë në tokë. “Skopje” nxori barazim ndaj Vardarit dhe nuk është skuadër që duhet nënvlerësuar, por edhe përkundër këtij fakti ne nuk i trembemi asnjë skuadre. Fitorja është obligim edhe për shkakun se luajmë në fushën tonë, ndërsa si zakonisht pran nesh do të kemi ‘Shvercerat’, të cilët janë lojtari ynë i dymbëdhjetë. Kemi punuar mirë gjatë këtyre ditëve dhe besojmë ne suksesin e radhës”, është shprehur mesfushori Shqiprim Taipi. Ndryshe, në këtë ndeshje pritet edhe debutimi i parë zyrtar i përforcimit të fundit, Ivan Fatiç i cili tani më ka të kompletuar dokumentacion dhe kjo ka bërë që Shkupi të jetë i kompletuar për sfidën e radhës.
Ndeshje e re me ambicie të njëjta për Shkëndijën
Duke e parrë formën aktuale të kuqezinjve dhe fitoren e thellë ndaj Rabotniçkit me 6:2, skuadra e Shkëndija është favorite absolute ndaj Sileksit, ndeshje kjo e cila do të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Tetovë. E tëra që kërkojnë kuqezinjtë në këtë përballje është fitorja. “Ndeshje e re me ambicie të njëjta. Ne duhet të vazhdojmë me fitore në çdo takim të radhës dhe për këtë duhet impenjim maksimal i secilit. Vijmë nga një takim shumë pozitiv dhe e vetmja që kërkojmë është vazhdimësia. Të gjithë e dinë se kur ne jemi në nivelin tonë, gjithmonë jemi më afër objektivit dhe shpresoj që tani të tregojmë kontinuitet për të mbajtur një seri të gjatë të ndeshjeve pozitive dhe fitoreve. Na vjen Sileksi për të cilët kemi respekt dhe për të marrë tre pikët duhet të japim më të mirën. Besoj se do të jemi në nivel, për të kënaqur publikun dhe për të arkëtuar fitore të re kampionate”, tha për KOHA, Armend Alimi.
Të gjitha ndeshjet e javës së gjashtë zhvillohen sot (e mërkurë) në terminin e zakontë 15:30.
Dyshet:
Vardari – Renova
Akademija P. – Pelisteri
Shkupi – Skopje
Shkëndija – Sileksi
Pobeda – Rabotniçki