Në konferencën rajonale të mbajtur në Shkup me temë “Sfidat në Rrugën e Ballkanit Perëndimor”, ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Maqedonisë, Agim Nuhiu, deklaroi se, “Vala e refugjatëve që gjatë vitit 2015 dhe 2016 përfshiu Evropën, në të cilën Maqedonia ishte pjesë e të ashtuquajturës ‘Rruga Ballkanike e refugjatëve’ dëshmoi një numër të madh të mangësive jo vetëm të Maqedonisë, por në përgjithësi të Evropës”.
Ministri Nuhiu nuk përjashtoi mundësinë e një vale të dytë të mundshme të refugjatëve, për të cilën theksoi se vendet e Ballkanit dhe vendet e Evropës duhet të jenë të përgatitura, sepse mund të jetë një valë shumë më e madhe nga vala e kaluar.
“Sistemi dhe institucionet përmes koordinimit rajonal dhe global patjetër duhet të jenë vazhdimisht të përgatitur për marrjen e hapave të duhura për zgjidhjen e problemeve. Përgatitja e resurseve është e rëndësishme, sepse nuk jemi të sigurtë se kjo deri tani e paparashikueshme, ikje e popullsisë civile nga zonat e luftës të Lindjes së Mesme të Afërt, nuk do të përsëritet në të ardhmen”, deklaroi Nuhiu.
Kjo konferencë rajonale është organizuar nga Organizata Joqeveritare “Legis” në bashkëpunim me Qendrën Multikulturore nga Vjena dhe në mbështetje të Nismës së Evropës Qendrore. Organizatorët synojnë të sigurojnë një përgjigje mbi temën “E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja: Me çfarë sfida ballafaqohen personat që emigrojnë përmes të ashtuquajturës ‘Rruga e Ballkanit Perëndimor’?”.
Kryetari i Organizatës Joqeveritare “Legis”, Jasmin Rexhepi, theksoi se mbyllja e “Rrugës Ballkanike” ishte një vendim politik dhe nëse hapja e të njëjtës do të ishte poashtu një vendim politik, Maqedonia, por edhe vendet tjera të Evropës do të kishin një problem me të vërtetë të madh.
Sipas tij, hapja e “Rrugës Ballkanike” varet nga marrëdhëniet mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian, përkatësisht marrëveshjes që u arrit para një viti, ndërsa sa i përket Greqisë, Rexhepi theksoi se ky vend nuk u pyet në valën e parë të refugjatëve dhe nuk do të pyetet as në valën e dytë të mundshme të refugjatëve.
“Askush nuk mund të ndal anijet e tyre me ndërtimin e një muri në Detin Egje dhe t’i parandalojë ata persona. E vetmja gjë që mund të ndodh në një situatë të tillë do të ishte fundosja e anijeve, ndërsa kjo do të ishte e ngjajshme me gjenocid dhe një gjë të tillë askush nuk mund ta lejojë. Nëse një gjë e tillë ndodh, Maqedonia nuk ka kapacitet për të parandaluar një valë të tilllë të refugjatëve. Ne vetëm mund të angazhohemi në mënyrë sa më efikase që ata njerëz t’i transferojmë përmes Maqedonisë në veri në Evropë”, deklaroi Rexhepi.
Rexhepi theksoi se deri para një viti Maqedonia ishte vendi më i prekur i Ballkanit Perëndimor nga kriza e refugjatëve, ndërsa shtoi se aktualisht ky vend është duke u ballafaquar me një migracion të parregullt me aktivizimin e rrugëve të kontrabandës.
Ndryshe, në konferencën “Sfidat në Rrugën e Ballkanit Perëndimor” do të diskutojnë përfaqësues të organizatave joqeveritare të Francës, Austrisë dhe vendeve të Ballkanit, mbi problemet ligjore, humanitare dhe mbi shkeljet e të drejtave të njeriut për personat që tranzituan ose kërkuan mbrojtje në një nga vendet e “Rrugës Ballkanike”.