NUHIU: Synimi i Dritës janë fushat e blerta evropiane

Në intervistë ekskluzive për gazetën KOHA, trajneri i Klubit të Futbollit Drita nga Gjilani, Ardijan Nuhiu flet për sfidat dhe pritshmërit nga ekipi i tij në Super Ligën e Kosovës. Ai thotë se synimi i tij është që Drita këtë vit të sigurojë dalje në Evropë

Fisnik NUHIU

KОHA: Si u pritët te Drita e Gjilanit?

NUHIU: Një trajner për të qenë i qetë duhet të gjejë mbështetjen maksimale nga udhëheqësit dhe tifozët, dhe unë këtë e kam gjetur te FC Drita dhe po mundohem të bëjë punën time në mënyrën më të mirë të mundshme.

KОHA: Sa jeni të kënaqur me punën e ekipit tuaj?

NUHIU: Në futboll gjithmonë ka vend për tu përmirësuar edhe nëse merr pikët e plota prapë duhet të eliminohen gabimet të cilat paraqiten. Kemi ecur mirë po me pak fat mund te kishim disa pikë më tepër. E them këtë për shkak se kemi tri ndeshje që kundërshtarët na kanë barazuar në minutat shtesë.

KОHA: Keni fituar derbin e parë me Gjilanin. Kishit emocione?

NUHIU: Në Gjilan jetohet për këtë, derbi i Anamoravës është një ndjenjë e veçantë ta fitosh, përveç që fiton ndeshjen dhe gëzon shumë tifozë, normalisht që edhe pikët kanë një rëndësi shumë të madhe për ne.

KОHA: Momentalisht ndodheni në pozitën e dytë me vetëm dy pikë nga vendi i parë me të cilët luani javën e ardhshme. Do e rrëmbeni kreun e tabelës?

NUHIU: Është ende herët të flasim për pozitën e parë, po shohim një kampionat të ngjeshur këtë vit ku secili ekip ka bërë përforcime dhe lufton për objektivat e veta. Nga java në javë po ndryshon tabela. Ne më tepër koncentrohemi ti marrim ndeshjet një nga një dhe të arkëtojmë sa më tepër pikë.

KОHA: Cilat janë synimet e Dritës këtë sezon?

NUHIU: Synime e Dritës këtë vit janë dalja në Evropë, ku besoj shumë te ekipi, deri në fund ne do të jemi në garë për të marrë kampionatin, por deri atëherë kemi edhe shumë punë për të bërë, sepse kemi edhe ekipe tjera të cilat kanë pretendimet e tyre.

KОHA: Sa jeni të kënaqur me nivelin e ekipeve në Superligë?

NUHIU: Niveli çdo vit po shkon duke u rritur. Këtë vit ekipet janë përforcuar shumë, kanë ofruar në radhët e veta futbollistë ku vijnë me një eksperience nga shtetet tjera. Kemi pesë ekipeve pretendente për titull dhe kjo tregon se do të jetë një kampionat i zjarrtë deri në fund. Çdo ekip po arrin të fiton ndaj kundërshtarit direkt për titull dhe kjo është gjë e mirë.

KОHA: Si po shkojnë punët me të rinjtë e klubit, sa kanë ata hapësirë në ekipin e parë?

NUHIU: Kemi në ekip 3-4 futbollistë të rinj, njëri tek reprezentacioni U-21 i Kosovës dhe dy të tjerë të U-19, futbollistë me një të ardhme të mirë edhe për ta por edhe për klubin tonë. Po mundohemi ti rrisim në krah të futbollistëve me eksperiencë, patjetër çdoherë që ka hapësirë për ti aktivizuar do ta bëjmë atë.

KОHA: Ku do të koncentroheni më shumë, në Kupë apo në Kampionat?

NUHIU: Klubi i FC Drita ka në dispozicion 22 futbollistë cilësorë, dhe kjo neve na mundëson që të përcjellim edhe kampionatin por edhe kupën e Kosovës.

KОHA: Ekipet kosovarë në radhët e veta kanë shumë lojtarë nga Maqedonia, tek juve nëse nuk gaboj janë 5. Çfarë po ofron Kosova më shumë se Maqedonia?

NUHIU: Kosova po rritet si kampionat dhe vitin e fundit ka ofruar futbollistë cilësorë si nga kampionati i Maqedonisë ashtu edhe ai i Shqipërisë. Investime që po bëjnë klube patjetër se janë joshëse për futbollistët. Po ashtu mediat këtu në Kosovë janë shumë aktive dhe po bëjnë edhe më të bukur kampionatin.

KОHA: Sa po arrini të ndiqni kampionatin e Maqedonisë, sipas jush cili ekip këtë vit do të arrijë më shumë?

NUHIU: Puna e trajnerëve është me përcjell çdo kampionat e sidomos ato të rajonit. Mundohem që çdo ndeshje të kampionateve ti përcjell. Kampionati i Maqedonisë, për një Vardar të cilin mendonim se ka probleme por ata po e shfrytëzojnë më së mirë krizën që e ka Shkëndija, nga ana tjetër, Akademija Pandev po tregohet një ekip modeste me futbollistë të rinj të cilët po shkojnë duke u rritur. Pres një Shkup me një trajner që njeh shumë mirë kampionatit të ngjitet në vazhdim të kampionatit. Shkëndija me kualitetin që ka brenda grupit pritet që ti len anash problemet dhe të bëj kampionatin edhe më interesant në vazhdim.

KОHA: Për momentin kemi ndeshjet e kombëtareve. Maqedonia, Kosova apo Shqipëria, cilat nga këto tri përfaqësuese mund të arrij më larg?

NUHIU: Momentalisht mendoj se Kosova është në rrugë të mbarë dhe ka një trajner i cili ka sjellë një mentalitet fituesi në përfaqësuesen e Kosovës, ka futbollistë të rinë ku po luajnë në kampionate të forta dhe janë lojtarë kryesor, kjo më bën të besoj shumë se viteve në vijim do të shohim edhe më lartë reprezentacionin e Kosovës. Nga ana tjetër, Maqedonia është në një grup shumë të fortë dhe e shoh shumë të vështirë një kualifikim të mundshëm edhe pse mendoj se me përfaqësueset e nivelit të tyre kanë bërë loja të mira dhe kanë marrë rezultate pozitive. Do të jetë një ndeshje shumë interesante kur do të takohen Kosova dhe Maqedonia në Ligën e Kombeve, nëse arrin të zhvillohet kjo, pasi e dimë se nëse arrin njëra nga Kosova apo Maqedonia të kualifikohen përmes grupeve atëherë kjo ndeshje nuk do të luhet. Ndërkaq, Shqipëri po bënë ndërrimin e gjeneratës dhe mendojë se i duhet kohë për tu stabilizuar. Kemi parë shumë ndeshje dhe asnjërën nuk e ka filluar me të njëjtit futbollistë, kjo tregon qe ende nuk kanë gjetur stabilitet.