Shkup, 3 maj – Një pjesë e strukturave të MPB-së i kanë shkaktuar dëme të mëdha Maqedonisë. Ngjarjet e Kuvendit paraqesin një pasqyrë shumë të keqe për shtetin tonë. Kështu u deklarua të enjten Ministri për Punë të Brendshme, Agim Nuhiu i cili përmes një konference për shtyp tha se për t’u përmirësuar kjo situatë duhet angazhim i plotë i prokurorisë dhe gjykatave. “Për të vërtetuar punën e shtabit operativ për ngjarjet e 27 prillit, unë organizova grup pune për shqyrtimin e aktiviteteve që i ka ndërmarrë ky shtab, gjegjësisht ky grup duhet të konfirmojë se shtabi operativ ka punuar në bazë të normave ligjore të vetë ministrisë”, tha ministri Nuhiu. Ai mes tjerash tha se deri te Qeveria ka dorëzuar kërkesë për shkarkimin e Mitko Çavkovit nga posti i drejtorit të Byrosë për Siguri Publike. Mes tjerash, ai ju bëri thirrje të gjithë të punësuarve në MPB, që të përfshihen aktivisht në zbardhjen e ngjarjeve të Kuvendit, duke dorëzuar materialet të cilat i posedojnë ata e që lidhen me dhunë e ushtruar me 27 prill në Parlament.