Shkup, 29 dhjetor – Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu sot ka hyrë në funksion ministër i Punëve të Brendshme. Nuhiu vjen në vendin e Oliver Spasovskit, ndërsa do të udhëheq me MPB-në deri në formimin e qeverisë së re. Ky vendim doli nga Marrëveshja e Përzhinës që e kanë arritur liderët e katër partive më të mëdha politike në vend. “Koshient për periudhën kur do të udhëheq me Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të bëj orvatje maksimale që me këtë vendim të jenë të kënaqur të gjithë qytetarët e RM-së pa marrë parasysh përkatësinë e tyre nacionale, fetare, partiake dhe sociale. Do të angazhohem për kultivim të profesionalizmit, respektimit të vlerave kushtetuese dhe standardeve thelbësore në suaza të kompetencave tona, si në sferën e sigurisë shtetërore, ashtu edhe në sigurinë publike”; deklaroi Nuhiu pas ndërmarrjes së detyrës. Do të respektohen, shtoi, të gjitha nënkulturat e strukturat heterogjene në MPB, por ato domosdoshmërisht duhet të jenë komplementare me hierarki institucionale brenda në MPB. Sipas tij, të punësuarit në MPB dhe të gjithë të tjetër duhet të jenë koshient se kemi detyrim shtetëror që t’i mbështesim vlerat në çdo segment në MPB në frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe të kontribuojmë fuqishëm për integrimin e RM-së në strukturat euroatlantike si alternativë e vetme dhe perspektivë e shtetit tonë.