Shkupi, 12 shtator – Skuadra e Shkupit ka arritur fitoren e parë këtë sezon. Pas dy humbjeve dhe një barazimi, skuadra nga Çairi të dielën ka mundur Rabotniçkin me 2:1. Mbella dhe Jasharovski ishin protagonistët e fitores për Shkupin, ndërsa për “romantikët” golin e vetëm e shënoi futbollisti shqiptar Nehar Sadiki.
Ndryshe, pas përfundimit të ndeshjes trajneri i FC Shkupi, Adrian Nuhiu është shprehur i kënaqur me triumfin e djemve të tij duke pranuar se fati ka qenë në anën e ekipit të tij dhe vlerëson se tri pikët ishin të merituara. “Ishte ndeshje e mirë, të dyja ekipet luajtën futboll të hapur. Ne shënuam shumë herët golin, i cili na dha vetëbesim. Rabotniçki tentonte të gjejë golin nga gjuajtjet e lira dhe realizuan nga me kokë pas ekzekutimit të rivënies nga këndi. Edhe në ndeshjet tjera luajtëm mirë, mirëpo për fat të keq pësuam disfata, ndërsa edhe sot të njëjtën gjë e kërkova nga futbollistët e mi dhe fituam tri pikët, të cilët besoj që i merituam. Ne luajtëm mirë edhe në pjesën e parë, ndërsa fati ishte me ne në minutat e fundit të ndeshjes”, deklaroi Nuhiu.
Me këtë fitore Shkupi mban pozitën e gjashtë në renditjen tabelore, ndërsa në ndeshjen e javës së pestë do të jetë mysafir i Sileksit në Kratovë. (koha.mk)