Në Mobile World Congress në Barcelonë, kinezët propozojnë një orë inteligjente me ekran që “përqafon” pulsin. Do të dalë në treg në prill të këtij viti dhe do të kushtojë 449 euro Në pamje të parë duket si një orë e inspektorit Gadget, por Nubia Alpha ka një mision specifik. Orët e sotme inteligjente kanë një kufizim të madh, ekrani është i vogël dhe kjo i bën gjithnjë e më shumë të varur nga smartphone. Edhe pse janë të pajisur me eSim, Sim virtual, është e vështirë t’i largosh nga pajisja kryesore për t’i përdorur në mënyrë të pavarur.
Në Mobile World Congress, kinezët përpiqen të dalin jashtë skemave me një pajisje, e cila është midis një ore dhe një telefoni, me ekran fleksibël, jashtë asaj që kemi parë deri më tani. Ekrani është Oled fleksibël 4 inç (960 x 192) dhe rrethon thuajse gjithë kyçin e dorës. Duke pasur parasysh formën e veçantë, ekrani është shumë i gjatë dhe i ngushtë, në të cilin ndodhet edhe një fotokamerë dhe dy butona falë të cilëve ju mund të kontrolloni funksionet. Duhet thënë se Alpha nuk është një koncept, por një pajisje që do të dalë në treg në muajin prill. Fotokamera me kënd të gjerë 5 megapixel, me hapje të diafragmës f/2.2 nuk shërben veç për selfie, përveç ekranit klasik mund të përdorim edhe kontrollet me gjeste. Mjafton që të lëvizni gishtin sipër ekranit, pa e prekur, për të përdorur aplikacione dhe funksione të ndryshme. Është disi e ngadaltë, por gjithsesi e saktë. Alpha është rezistente ndaj ujit dhe po ashtu është e pajisur me asistent zanor.
Te kjo orë inteligjente gjejmë të përfshirë procesorin Snapdragon Wear 2100 (jo i fundit pasi në shtator doli edhe 3100), 1 GB RAM, 8 GB memorie të brendshme dhe baterinë 500 mAh, e cila siguron një ose dy ditë autonomi orës. Sipas burimeve nga kompania, ora inteligjente Nubia Alpha do të dalë në treg në Kinë, në muajin prill dhe do të mbërrijë në muajt e verës në tregjet e Europës dhe Shteteve të Bashkuara. Do të kushtojë 449 euro për modelin me Bluetooth dhe 549 euro për modelin me eSim falë së cilës mund të lidhet me rrjetin e telefonisë, pa pasur nevojën e smartphone.