Shkup, 17 shtator – NQP do të vazhdojë të ngasë sipas itinerarit të së shtunës sepse ka një numër të vogël të udhëtarëve të cilët e shfrytëzojnë transportin publik në qytet. Frekuencë të rritur të udhëtarëve, thotë kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, ka vetëm në periudhat kur shkohet në punë edhe atë vetëm në linja të caktuara. Kjo, sqaron ai, zgjidhet me rritjen e numrit të autobusëve në atë periudhë të ditës.
“Rendi i vozitjes është sipas të shtunës për shkak të numrit të vogël të udhëtarëve të cilët transportojnë udhëtarë gjatë gjithë ditës dhe i shfrytëzojnë shërbimet e NQP-së. Vetëm në disa linja ka frekuencë të rritur të qytetarëve dhe atë vetëm në periudhat e mëngjesit kur shkojnë në punë kur e rrisim numrin e autobusëve në bazë ditore. Për shkak të pandemisë në disa periudha kishim edhe humbje ditore prej 55 mijë euro të të gjithë sistemit të autobusëve të sistemit transportues të Qytetit të Shkupit. Për momentin edhe me rend kështu të reduktuar kemi humbje ditore prej rreth 32 mijë euro. Duhet të mbajmë llogari edhe për gjendjen materiale të NQP-së, por edhe për Buxhetin e Qytetit të Shkupit, sepse prej atje transferohen mjete për humbjet e NQP-së”, tha Shilegovi.
Ai tha se në periudhën e ardhshme do të shihet se a do të vazhdojë frekuenca e dobët e udhëtarëve ose ajo do të rritet, pas çka do të kërkohet zgjidhje optimale e cila, siç tha, do të jetë para së gjithash në interes të shëndetit të qytetarëve. Për momentin, tha Shilegovi, mund të shihet se gjatë ditës nuk shfrytëzohen autobusët me intensitet me të cilin shfrytëzoheshin më parë.
Kryetari sqaron se për më shumë se 40 milionë denarë ka rënë shitja e biletave të autobusit, që, siç tha. duhet të kihet parasysh.
“Analizat tona tregojnë se brenda ditës për çdo kilometër të kaluar në sistemin e transportit publik të Qytetit të Shkupit transportohen vetëm 0,6 udhëtarë, ndërsa linja e autobusit sipas marrëveshjeve ndërpritet nëse ka më pak se 2,5 udhëtarë të transportuar për një kilometër. Domethënë ne me vetëdije me katër herë më pak udhëtarë të transportuar i mbajmë linjat, sepse për neve shëndeti i qytetarëve është para të gjithash”, tha Shilegovi, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në konferencën e përbashkët për media të cilën e mbajti me kryetarin e Aerodromit, Zllatko Marin.