Shkup, 13 mars – NP Higjiena komunale përmes një kumtese ka bërë apel deri tek qytetarët që të mos digjen dhe dëmtohen kontejnerët e mbeturinave të vendosura nëpër qytet, transmeton koha.mk. Ndërmarrja këtë apel e ka bërë pas djegies dhe dëmtimit të rreth 40 kontejnerëve, pronë e kësaj ndërmarrje, për grumbullimin e mbeturinave.
“Gjithsej 40 kontejnerë të destinuar për grumbullimin dhe transportimin e mbetjeve komunale gjatë dy muajve të fundit janë djegur dhe shkatërruar tërësisht. Krahas dëmit financiar që i shkaktohet NP ,,Higjiena komunale” – Shkup, këto incidente sjellin probleme të mëdha gjatë grumbullimit dhe largimit të mbetjeve komunale në Qytet. Apelojmë të ndalohet shkatërrimi i pajisjeve të NP ,,Higjiena komunale” – Shkup, që ekipet tona të munden në kohë t’i kryejnë detyrat e tyre të punës, në pajtim me Programin operativ për punë. Të gjitha rastet e djegies së kontejnerëve janë të paraqitura te organet kompetente dhe do të ndërmerren masa përkatëse për gjetjen dhe sanksionimin e vepruesve”, thuhet në apelin e ndërmarrjes publike Higjiena komunale. (koha.mk)